Kompania “Ritello” dhe “Iute Credit” kanë lidhur një marrëveshje, përmes të cilës mashtrojnë qytetarë të shumtë dhe i fusin në borxhe edhe pa dijeninë e tyre. ZËRI ka marrë denoncime të ndryshme për telefonata që fusin në kurth qytetarë duke u premtuar dhuratë një pastrues ajri, por qëllimi nuk është ky.
Synimi i kompanisë “Ritello” është që të futet në shtëpitë e qytetarëve dhe të prezantojnë një pajisje që pastron ajrin dhe kryen funksionin e një fshese me korent, por që kushton 3500 euro.
Një nga numrat e përzgjedhur nga kjo kompani zhvatëse ishte dhe i një prej gazetarëve të ZËRI-t, i cili sipas stafit ishte përzgjedhur për t’ju dhuruar një pastrues ajri. Skema ishte e njëjtë, veçse këtë herë në ‘kurthin’ e ngritur prej vetë atyre, ra kompania “Ritello”.
Gazetari ka filmuar gjithçka, që nga nisja e prezantimit të ‘dhuratës’ që nuk u dha kurrë, tek pajisja që është kryefjalë e këtij marketingu manipulues dhe deri tek këmbëngulja e punonjësve për ta kthyer gazetarin në debitor me Iute Credit, duke i premtuar dhe shlyerje interesash.
Por ku është tregtia në këtë pikë? Cili është fitimi?
Kësaj pyetjeje nuk ditën t’i japin përgjigje as vetë stafi i kompanisë “Ritello” dhe as drejtori Stiljano Merkohitoj, i cili nuk denjoi as të paraqitej në derë, kur në zyrën e tij trokiti stafi i ZËRI-t.
Këtë herë, i përzgjedhur ishte një gazetar, i paralajmëruar nga qindra denoncime të shumta, por kur këta persona trokasin në dyert e qytetarëve vulnerabël dhe të moshës së tretë, e dini çfarë ndodh me ta?
Pas një muaji telefonohen nga Iute Credit dhe u komunikohet një detyrim për të cilin as vetë nuk kanë dijeni që e kanë!
Ndiqni materialin e përgatitur nga ZËRI:
*Mos bini pre e këtyre mashtrimeve, çdo rast të tillë denoncojeni në redaksinë e ZËRI-t, në numrin e celularit: 0692075095
Burimi i lajmit: zeri.ai