Hakmarrja, larja e hesapeve ose krim pasioni janë tri pistat kryesore për hetimet rreth vdekjes së 39-vjeçarit shqiptar, Bledar Dedja në Itali.
Shqiptari banues në Asolo, i gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm në një pyll Grappa nga një mik i familjes. Në trupin që u gjet në shkurre kishte plagë të shumta që dyshohet se janë shkaktuar nga goditjet me thikë.
Dedja është goditur me thikë edhe në mushkëri, ndërsa në krahë ka patur plagë të tjera që tregojnë se ai ka tentuar të vetëmbrohet. Ai është gjetur me pantallona të ulura, rreth 100 metra larg “Mercedesit” të tij të bardhë. Autopsia, e cila do të bëhet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes, do të duhet të vërtetojë edhe nëse 39-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale para vdekjes.
Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë prej pistave, mes të cilave atë të një takimi me një person tjetër që përfundoi në tragjedi, ndoshta në kulmin e një zënke për motive momentalisht të paqarta. Por hipoteza të tjera nuk mund të përjashtohen, siç është ajo e larjes së hesapeve. Kërkimet vijojnë për vrasësin dhe armën e vrasjes, e cila ende nuk është gjetur.
Bledar Dedja ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ai mbërriti në Itali rreth 20 vjet më parë. Ai u pa për herë të fundit në restorantin-piceri të Borso del Grappa , L’Antica Abbazia, ku punonte si kopshtar dhe pastrues. Pastaj të gjitha gjurmët e tij u zhdukën. Telefonata e fundit e bërë me kunatën e tij ishte në orën 16:15: ai sapo kishte mbaruar turnin dhe kishte në plan të shkonte për peshkim me një shok për fundjavë, me të cilin nuk kishte më kontakte.
Hetimet do vijojnë kryesisht në makinën e viktimës, si dhe në rrobat e tij, në kërkim të ndonjë gjurmë (gjurmë gishtash apo ADN) të lënë nga vrasësi. Në vendin e ngjarjes ka patur disa gjurmë gjaku në gjethe, në gurë dhe gjithashtu në trungje. Gjithashtu po shqyrtohen regjistrimet telefonike dhe pamjet nga kamerat publike dhe private të instaluara në zonë.