Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja e rëndë që ndodhi një javë më parë në Podujevë ku mbeti i vdekur 18-vjeçari Lulzim Fejzullahu pasi u rrah nga dy të mitur.
Është mësuar se 16 dhe 17-vjeçari kanë kundërshtuar kërkesën për paraburgim me akuzëm “Vrasje”, gjatë seancës dëgjimore të mbajtur më 15 janar 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të dy avokatët e tyre kanë kundërshtuar masën e dhënë me arsyetimin se mungojnë të gjitha parakushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.
DOSJA E GJYKATËS
Njëri prej të miturve ka deklaruar se në ditën kur ndodhi ngjarja e kishte hapur xhamin e veturës dhe e kishte pyetur të dëmtuarin (të ndjerin L.F), se ‘pse më shave dje’, nga ana tjetër e rrugës ku kishte qenë L.F.
Më pas i mituri pretendon se i ka kërkuar shokut të tij që të ndalë veturën për t’u sqaruar me 18-vjeçarin, i cili sipas tij e goditi me thikë në këmbë.
“Kur jam afrua e kam rrok gumën e veturës me thike dhe e ka qel derën e kerrit dhe ja ka nis me me sjell me thikë dhe më ka therë në këmbë dhe po ashtu duksin e kam pas të shkym se disa here u mundua me therrë, i dyshuari i dytë, u kanë me mua, ai ka dal nga vetura ja ka kap dorën L., dhe jena ikë nja 10 metra, mandej kena ikë me veturë e gomë të shpërthyer 10 metra”,-ka deklaruar njëri prej autorëve të vrasjes së 18-vjeçarit.
Më pas ka pretentuar se viktima ka nxjerrë thikën dhe ai është detyruar ta godasë me shkop në kokë.
“E kam kap stupcin e kena hyp në kerr apet dhe ju kam leshu L., me ndjek me veturë dhe kur na ka pa L., e ka që thikën e ka mbajt, në ato momente dola prej vetes, jam mundu me koqit kerrin por me dije tem L., nuk e ka prek kerri, kam dalë prej kerrit dhe i kam ra L., me shkopin e drurit në dorë ku e ka pas thikën dhe ja kam ba lësho thikën nuk e ka lëshu thikën e ka mbajt në drejtim timin, me pas e kam godit me stupc në kokë mbrapa sigurt nuk e di në anën e djathtë”,-shton ai.
Ndër të tjera thotë se nuk e kishte parë kur ka dalë nga makina shokun e tij dhe nuk e kishte parë nëse e kishte goditur edhe ai Fejzullahun. Më pas deklaron se mosmarrëveshja kishte filluar pasi viktima i kishte “zënë radhën tek berberi dhe e kishte sharë”.
“E kundërshtoj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, vetë jam dorëzuar në polici kam shkuar në spital ju kam thanë policisë vetë jam i therrt, nuk jam mundu me ikë, mosmarrëveshja kishte ndodh një ditë përpara sepse L., ma kishte zanë renin te berberi dhe më ka sha mua”,-ka deklaruar ai para gjykatës.
Autori tjetër po ashtu ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim duke deklaruar se ndiente keqardhje për atë çfarë ndodhi dhe se nuk kishte dashur të ndodhte ajo që ka ndodhur.
“Unë nuk jam për kësi lloj punësh deri në këtë pikë qysh ka ndodh, unë jam nxënës, unë ditën kritike veç kam tentua m’i nda dhe atë dy here”,-ka deklaruar i mituri i dytë.
Ai thotë se viktima tentoi të qëllonte me thikë shokun e tij. E po ashtu se nuk e di të sigurt nëse e ka përplasur me makinë viktimën.
“Nuk kam bërë kurrgjo”,-deklaroi njëri prej autorëve teksa tha se kundërshtonte masën e paraburgimit.
“Kur ka tentuar me godit në pjesë tjera të trupit, kam dalë edhe unë e kam tërhjek L., prej të dyshuarit të parë, i cili veç e ka mbyll derën e veturës dhe unë jam kthy kam hip në veturë, i kam thanë (të dyshuarit të parë), çona te shpija, në momentin kur e ka pa gjakun në këmbë, ka ndal veturën dhe e ka marrë një stupc, unë stupcin ma herët nuk e kam pa deri në vend të ngjarjes çfare ka qenë nuk e di sigurt, e ka godit (i dyshuari i parë) L. (viktimën), fillimisht në dorë, nuk e di bash sigurt ku e ka rrok, ndërsa unë nuk e kam godit L.”,-shton ai.