Një aksident i rëndë ka ndodhur dje rreth orës 05:50 në qytetin Soline, në jug të Kroacisë, ku një person ka humbur jetën dhe gjashtë janë lënduar.
Aksidenti është shkaktuar nga një shtetas i Kosovës, i cili drejtonte automjetin me targa sllovene. Drejtuesi i automjetit, 40-vjeçar, po lëvizte me makinë nga lindja në perëndim dhe në një moment ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur me një automjet tjetër me targa kroate, i cili drejtohej nga një shtetas 45-vjeçar kroat.
Shtetasi kroat 45-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa pasagjerët e mjetit që drejtonte ai, një grua 45-vjeçare dhe një 48-vjeçar, kanë pësuar lëndime të rënda fizike, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Lëndime kanë pësuar edhe pasagjerët në veturën e 40-vjeçarit, po ashtu shtetas të Kosovës. Gruaja 42-vjeçare dhe fëmija 11-vjeçar janë në gjendje kritike, ndërsa një 18-vjeçar ka pësuar lëndime të lehta.
Policia e Dubrovnikut menjëherë pas daljes nga spitali të shoferit 40-vjeçar, do të nisë hetim penal për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale të shkaktimit të aksidentit trafiku në komunikacionin rrugor.