Shqipëria prej disa vitesh është destinacion i preferuar nga pushuesit rumunë, të cilët kanë përzgjedhur plazhe kryesisht në jug si Ksamili, Saranda apo Vlora, që para se të bëheshin kaq popullorë.
Megjithatë, një numër i lartë postimesh në platformat për turizmin vënë theksin te çmimet e larta ë vendin tonë.
Turistët shprehen se një shezlong mund të kushtojë deri në 20 euro, ndërsa çmimet në bare dhe restorante janë më të larta se edhe në Rumani.
“Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë”, shkruan dikush.
“20 euro shelzoni në Ksamil, është kthyer në destinacion luksi”, përgjigjet një turist tjetër në Forumin për pushimet në Shqipëri.
“Te pema e thatë nuk ka shezlone, vetëm tenda dhe janë 50 euro. Vjet kanë qenë 25 euro”, shkruan dikush tjetër.
Një turist tjetër thotë se të vetmet gjëra të lira në Shqipëri janë cigaret.
“Vetë cigaret kushtojnë lirë. Unë vij nga Cluj që është një qytet i shtrenjtë. Dhe çmimet këtu si në restorant edhe në supermarket janë më të shtrenjta se aty. Me buxhet të lirë mund të hani një drekë në restorant dhe dy vakte të tjera në shtëpi. Përndryshe, me pak verë apo një koktei, ju kushton shumë”, shkruan ai.
Pjesa më e madhe e turistëve rumunë janë familjarë dhe zgjedhin të vijnë në vendin tonë me makinë, përmes Serbisë, Kosovës apo Maqedonisë, duke ndjekur një rrugë që është rreth 1 mijë kilometra dhe zgjat 13 orë, raporton newsbomb.al.