Zbulohen detaje mbi arsyet, që çuan në lirimin e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Ditën e sotme, pas 16 muajsh në burg, Gjykata e Elbasanit vendosi masën arrest shtëpie për Tahirin, i cili ishte dënuar përfundimisht me 3 vite e 4 muaj burg nën akuzën për shpërdorim detyre.
Kjo akuzë bazohej në kanabizimin e vendit në periudhën 2013-2017, kur ai mbante detyrën e ministrit të brendshëm. Tashmë Tahiri do të duhet të qëndrojë edhe 1 vit e 7 muaj në masën e arrestit të shtëpisë, deri në shlyerjen e plotë dënimit.
Mësohet se gjendja shëndetësore e gruas dhe vdekja e babait, kanë ndihmuar ish-ministrin që të dalë nga burgu. Në gjykatë është dorëzuar ekspertiza mjeko-ligjore, që vërteton se gruaja e Tahirit vuan nga probleme shëndetësore dhe nuk është në gjendje të kujdeset e vetme për fëmijët.
Si pasojë, avokatët e Tahirit kanë theksuar nevojën e pranisë së tij në shtëpi për tu kujdesur për fëmijët e çiftit. Gjithashtu, vdekja e babait, Bashkimit, ka qenë një tjetër argument në gjyq, pasi sipas tyre gjendja emocionale e familjes nuk është aspak e mirë.
Pas parashtrimit të këtyre pretendimeve, edhe prokurori i çështjes mësohet se ka qenë dakord me kërkesën, që Tahiri ta përfundojë dënimin në shtëpi. Si pasojë, gjykata e Elbasanit ka marrë vendimin e sotëm, duke ndryshuar masën e sigurisë për Tahirin.