Në javët e fundit nëpër markete kemi parë një shtim të produkteve serbe, me tregun shqiptar, që duket se ndryshe nga më parë është orientuar në këtë drejtim për të plotësuar nevojat e popullatës. Një nga produktet më të shpeshta që hasim në markete e dyqane është “Coca-Cola” serbe.
Siç dihet, kjo kompani ka një fabrikë në Shqipëri që prodhon këtë pije, por marketet më së shumti preferojnë të furnizohen me pijen që vjen nga Serbia. Një qytetar nga Durrësi e ka denoncuar këtë fenomen në redaksinë tonë.
Ai shprehet se arsyeja përse tregtarët shqiptarë nuk furnizohen me “Coca-Cola”-n shqiptare është sepse ajo serbe blihet më lirë. Pavarësisht kësaj, nëse shkon të blesh në market një “Coca-Cola” shqiptare dhe një serbe, do të kushtojnë njësoj.
E sigurt është se për shqiptaren do të duhet të kërkosh në shumë markete për ta gjetur, sepse shumica janë furnizuar vetëm me atë serbe. Qytetari nga Durrësi bën thirrje që të bojkotohet kjo pije deri në rregullimin e çmimeve dhe të tregut.
MESAZHI I QYTETARIT – “JOQ Albania ju përshëndes! Kam një shqetësim, që e kam hasur në kohët e fundit. Pothuajse në shumicën e marketeve dhe dyqaneve në Durrës gjen ‘Coca-Cola’ të prodhuara në Serbi. Herën e parë e mora, se nuk e vura re.
Herën e dytë pyeta shitësin e më thotë se kanë hyrë shumë në vendin tonë për arsye se i marrin më lirë. Domethënë ‘Coca-Cola’ e Serbisë hyn në vendin tonë më lirë dhe shitet me të njëjtin çmim që ka e jona. Turp, duhet bojkot!”