Ka dalë në media videoja nga momenti i plagosjes së efektivit të “Shqiponjave” Edlir Alleshi nga 42-vjeçari Klered Bozhanaj.
Në pamje shihet se efektivi i policisë pasi plagoset futet brenda lokalit së bashku me kolegun e tij, të cilët po ndiqnin 42-vjeçarin.
Sipas procesverbalit të grupit hetimor, kanë qenë dy patrulla të Shqiponjave që po patrullonin në zonën e Kinostudios rreth orës 18:50 pranë një kompleksi banimi.
Në një lulishte aty pranë ka qenë dhe Klered Bozhanaj, i cili sapo pa policët nisi të largohej.
Efektivët vunë re sjelljen e dyshimtë dhe i kërkuan që të ndalonte.
Por Bozhanaj nisi të vraponte. Punonjësit e policisë i bën thirrje që të ndalonte, por 42-vjeçari Bozhanaj ju përgjigj duke ju thënë “ikni ore, më lini rehat”.
Klered Bozhanaj u fut në hyrjen e pallatit të tij nr.50 ku banonte së bashku me familjen.
Efektivi i policisë Edlir Alleshi po e ndiqte nëpër shkallë, ndërsa pas tij ishte kolegu tjetër T.K.
Gjatë ndjekjes, Edlir Alleshi njoftoi kolegun se personi që po ndiqnin është i armatosur. Pak çaste më vonë, Klered Bozhanaj qëlloi me armë.
“Të ndodhur në këto kushte, punonjësit e policisë janë kthyer pas për të siguruar veten si dhe për të bllokuar hyrjen e pallatit. Në momentin që kanë dalë në hyrje të pallatit, T.K. (efektiv policie), ka shkuar te lokali duke njoftuar klientët të largoheshin pasi kishte të shtëna me armë zjarri. Gjatë kohës që ndodheshin para hyrjes së pallatit, kolegu i vetë Edlir Alleshi i ka treguar se ishte plagosur. Menjëherë ka marrë kolegun, dhe me dy kolegët e tjerë të cilët ishin afruar e kanë futur në makinën e shtetasit A.Xh. dhe e kanë nisur për në spital”, thuhet në procesverbalin e grupit hetimor.
Pas të shtënave, autori u largua nga pallati dhe qëndroi në arrati për rreth 24 orë kur dhe u arrestua.