Zvicra do të luajë këtë të shtunë një ndeshje mjaft delikate në transfertë përballë Serbisë. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Stadion Dubočica”, në Leskovac do të startojë në orën 20:45. Ajo ç’ka e bën delikate këtë sfidë është pikërisht shqiptari Granit Xhaka.
Në lidhje me këtë temë ka folur vëllait i Granitit dhe ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka. Ky i fundit thotë për “Blick”, se kjo ndeshje do të ketë shumë emocione dhe presion për Granitin. Taulanti thotë se i kishte sugjeruar vëllait të tij që të fliste me trajnerin dhe të mos e luantë këtë ndeshje, por Graniti e kishte ndarë mendjen që do të ishte prezant.
“E di vetë se sa presion dhe emocione duhet të durosh në këtë ndeshje. I sugjerova Granitit të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta të mos e luante këtë ndeshje, por të gjithë e njohim vëllain tim, ai dëshiron të luajë çdo ndeshje për Zvicrën.
Nuk është e lehtë të qëndrosh nën kontroll për 90 minuta kur gjërat bëhen përsëri kaq emocionale. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet. Është e lehtë të thuash, por në fund gjithçka përfundon në këtë: luaj ndeshjen dhe fito”, tha Taulant Xhaka.