Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e të mërkurës në Greqi, ku mbeti viktimë e një atentati me armë zjarri 32-vjeçari shqiptar Roan Brahimi.
Shqiptari u ekzekutua mbrëmjen e së mërkurës pas orës 21:30 në rrugën “Messolongiou” në Greqi teksa ndodhej në një makinë me gruan e tij. Ai është qëlluar me armë nga një person i cili i ka drejtuar armën nga një motoçikletë në lëvizje.
Mediat lokale greke, shkruajnë se nga të shtënat me armë zjarri ka humbur jetën Roan Brahimi, ndërsa bashkëshortja e Brahimit Katerina Beqo 37 vjeç ka mbetur e plagosur lehtë.
Djali i vogël i 32-vjeçarit ka parë të gjithë ngjarjen, teksa të atin e ekzekutuan me armë zjarri dhe mbeti i vdekur në vend. Ai ishte duke luajtur në rrugë bashkë me fëmijët e tjerë, duke pritur babain dhe nënën të shkonin ta merrnin, por vetëm pak momente më pas pa teksa atë ia vranë para syve. Ngjarja është parë edhe nga vjehrra e viktimës.
“Vajza ime e vogël po luante me djalin e vogël të tij (të viktimës). Dëgjuam të shtënat dhe vrapova për të parë nëse ishte diçka apo ishte vetëm një lojë. Vogëlushi vraponte dhe thoshte “babi im, babi im”, ka treguar një grua për mediat në vendin fqinj. “Gjyshja tha “është dhëndri im, dhëndri im” dhe unë lajmërova policinë. Ishte një motoçikletë me dy persona”, ka treguar më tej dëshmitarja.
“E kuptuam që diçka ndodhi, vrapuam, pamë makinën të parkuar në cep dhe gruaja e tij bërtiste “ndihmë, ndihmë”. Erdhën për të marrë fëmijën që luante”,-rrëfen një tjetër dëshmitar.
Mediat greke shkruajnë se atentati është një “larje hesapesh” për një çështje droge. Përmendet shpallja e Roan Brahimit në kërkim për atentatin në Milot ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj, kushëriri i parë i Ervis Martinajt, dhe dy shokët e tij.
Ai rezultoi se nuk ndodhej në Shqipëri kur ndodhi atentati dhe nuk u mor në pyetje.