Për çdo vit, festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, gjithmonë ka krijuar debate dhe polemika pas shpalljes së fituesit. Janë të shumtë zhgënjimet e artistëve të Shqipërisë e Kosovës sa herë që mbahet festivali.
Ndërkohë edhe këtë vit, në Festivalin e Këngës 62, dy këngëtare të njohura janë tërhequr nga gara.
Kejsi Tola dhe Samanta Karavella nuk kanë dhënë arsye, por Elsa Lila përflitet se është një nga pretendentet për ta fituar këtë kompeticion e për të çuar Shqipërinë në Eurosong vitin e ardhshëm.
Festivali do të zhvillohet më 19-22 dhjetor 2023 dhe këngëtaret janë zëvendësuar nga “Peter Pan Quartet” me këngën “Edhe një herë” dhe Irma Lepuri me “Më prit”.
Pas tërheqjes së dy këngëtarëve nga gara, në rrjet komentuesit kanë shkruar se arsyeja e kësaj tërheqjeje është fituesi i paracaktuar, teksa vetë vajzat nuk kanë dhënë detaje mbi vendimin që kanë marrë.
Publiku do të vendosë përmes televotimit se kush do e përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024, teksa juria do të përzgjedhë fituesin e festivalit dhe çmimet tjera./JOQ