Në këtë sukses të madh të Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë, ka sërish aromë italiane, edhe pse ndoshta jo aq shumë sa në Europianin e Francës. Këtu nuk po flasim për “shkollimin” e Silvinjos si trajner afër Mancinit, por për Alarico Rossin. Është përgjegjësi i sektorit të video analizës në FSHF dhe të gjithë ata që njohin futbollin, kanë thënë gjithmonë fjalët më të mira për Rossin.
Kap çdo detaj nga lojtarët e Shqipërisë dhe nuk i shpëton asgjë, është krahu i djathtë perfekt për Silvinjon. Në një intervistë për “Koha Shtesë”, Rossi ka zbërthyer gjithë suksesin e Shqipërisë. Gjithashtu kishte edhe një detaj të bukur nga kjo intervistë. Një prej mbrojtësave të çekëve, u shpreh para ndeshjes në Air Albania se nuk kishte frikë nga golat e Jasir Asanit pasi portieri i tyre Pavlenka e kishte studiuar në maksimum lojtarin shqiptar, por Asani me zgjuarsi ndryshoi goditje.
“Golat e Jasir Asanit? Asani ka më shumë një goditje si të Pirlos dhe më pak si të Del Pieros. Ka shumë forcë, por jo gjithmonë precizion maksimal. Ky është përshkrimi për Asanin, ai te Kombëtarja po bën më shumë golat që ka bërë te Partizani atëherë sesa golat si në Korenë e Jugut. Ka një shpejtësi mendimi, nuk e mendon gjatë lëvizjen apo goditjen. Për Silvinjon, ishte pikërisht ajo se çfarë i mungonte kësaj Shqipërie.
Shezni nuk e priste fare atë goditje të Asanit te ndeshja Poloni-Shqipëri. Pastaj kur portieri i çekëve, Pavlenka, analizoi me detaje goditjet e Asanit për t’u mbrojtur, që në dy rastet me Poloninë dhe Moldavinë ishte në shtyllën e dytë dhe goditje lart, Asani ndryshoi komplet zgjedhje në goditje. Asani goditi në shtyllën e parë dhe me topin që shkoi i ulët dhe jo si në dy rastet e tjera. Ishte komplet një zgjidhje momenti i Asanit që bëri diferencën aty.
Kur bëjmë mbledhje ne stafi te Shqipëria, me Silvinjon, gjuha zyrtare e mbledhjes është italishtja. Gjuha e dytë është anglisht, por nëse ne kemi problem me Zabaletën që nuk flet shumë mirë italisht, për t’u kuptuar midis neve, është spanjisht. Por kur Silvinjo flet me Dorivën, flasin në portugalisht. Dhe kur ne të gjithë hapim derën pas përfundimit nga mbledhja, të gjithë ne flasim vetëm SHQIP.
Përse Silvinjo qëndron vetëm në dhomë 1 orë para ndeshjes dhe del vetëm 5 minuta para ndeshjes? Kombëtarja është gjë ndryshe nga klubi, formacioni nuk dihet saktë dhe mund të ndryshojë në momentin e fundit. Ne kemi formacionin vetëm një orë e një cerek para ndeshjes. Në ekip është ndryshe se ti e ke një ide, ndeshjet janë shumë, formacioni është thuajse i njëjtë, Kombëtarja është shumë ndryshe. Ka analiza deri në moment të fundit për të marrë avantazh ndaj kundërshtarit.
Ne mendojmë sesi rivali mund të luajë kundër nesh sepse statistikat dhe strategjitë janë të ndryshme. Pasi marrim formacionin, mendojmë se çfarë trajneri kundërshtar tenton që të bëjë kundër nesh. Sepse ata ndjekin një strategji të caktuar vetëm kundër nesh, nuk është e njëjtë gjithmonë për të gjitha ekipet. Ne përgatisim para ndeshjes 3 ose 4 plane, por kur formacioni i kundërshtarit publikohet, shohim nëse ato 3-4 planet që ne kemi janë korrekte apo duhet të përgatisim edhe një të pestë nga vendosja e kundërshtarit.
Shorti i grupeve të Europianit? Unë kam parë shumë shorte deri tani, por ky këtë herë është komplet ndryshe. E gjithë vëmendja e Shqipërisë do të jetë te vazo e tretë, ne duam fat të madh vetëm në vazon e tretë. Vazo e tretë, nëse ne kemi fat aty, mund t’ia dalim me çdo rivalë të tjerë për të kaluar më tej. Vazo e tretë është “vazo e kuqe” për ne. Shumë herë më parë “vazo e kuqe” ishte ajo e dyta, por këtë herë është vazo e tretë”, tha Rossi. /Sport Ekspres/