Vëmendja e mediave botërore këto ditë është te Shqipëria për shkak të fluksit të lartë të turistëve.
Por përveç bukurive natyrore, mediat po zbulojnë edhe “anën e errët” të Shqipërisë, atë anë ku abuzohet me çmimet, pagesat, trafiku i rënduar shkakton kaos dhe jo vetëm.
Së fundmi gazeta e madhe italiane “Il Messaggero” ka shkruar një artikull për këtë anë të Shqipërisë, parë nga pushues që e kanë vizituar por që s’do kthehen më.
Me titullin “Shqipëria mes mashtrimeve, shantazheve për çadra dhe gazebo në plazh për 200 euro: ana tjetër (përveç kostos së ulët). Italianët: “Nuk do të kthehemi më këtu””, artikulli prek problematikat kryesore me të cilat përballen turistët.
“Kjo nuk është Ibiza”, thotë me ironi një turist italian teksa largohet nga një nga klubet më të famshme të plazhit në Ksamil të Shqipërisë. Në telefon ai po u tregon disa miqve për shërbimin (dhe mbi të gjitha çmimet) në ato plazhe që përkundrazi, duke i parë nga larg Italisë, dukeshin si parajsa e re: det i kristaltë, qetësi, pa kaos, fatura pa surpriza. Megjithatë, entuziazmi që zgjati disa javë, në realitet duket tashmë i shfryrë.
Dëshmitë e shumta online por jo vetëm të italianëve që kanë kaluar disa ditë në Shqipëri tregojnë se eksperiencat e tyre janë krejt ndryshe nga ajo që prisnin.
Çadra të grumbulluara, çmime shumë të larta, pagesa pothuajse vetëm në cash (dhe në monedhën vendase leku shqiptar), parkim zero.
“Shantazhi” i çadrave
Arrijmë në Plazhin e Pulëbardhës pas një shëtitjeje të gjatë, më shumë se një kilometër rrugë. Dhe peizazhi që kemi para syve tanë, duke e parë atë nga lart, në fakt na lë pa fjalë, sepse deti ishte i bukur – thotë Flavia, një turiste që ishte në Shqipëri më 15 gusht. Megjithatë, kur mbërritëm në plazh, mbetëm pa fjalë. Ne kërkuam një çadër dhe dy shezlong dhe na thanë që nëse do të hanim drekë në restorantin e plazhit çmimi do të ishte 2500 lekë (rreth 25 euro) ndërsa pa drekë do të ishte 3000 (30 EURO). Por që kur ndryshojnë çmimet në bazë të kësaj zgjedhjeje?
Ata që shpresonin të largoheshin nga kaosi i plazheve italiane janë të zhgënjyer.
Çadrat e grumbulluara njëra mbi tjetrën, mund të shihni se po përpiqen të shfrytëzojnë sa më shumë këto struktura në mes të natyrës. Në fund vendosëm të hanim drekë në restorant, duke paguar 5 euro më pak për çadrën dhe shezlongët. Por kaosi mbretëroi edhe në restorant. Porosia vonoi aq shumë saqë ne u detyruam ta anulonim fare.
Kafeja 4.50 euro dhe gazebo 200 euro
Çmimet e restoranteve në Shqipëri priren të jenë më të ulëta se në Itali, por vetëm nëse vendosni të vizitoni ato plazhe më pak në modë. Sepse në Sarandë dhe Ksamil, dy destinacionet e zgjedhura nga të gjithë për pushime në Shqipëri, tarifat janë të stilit Ibiza.
Një kafe kushton 4.50 euro, një gazebo për tre persona kushton 50 euro, por të tjerat janë me çmime edhe më të larta dhe shkojnë deri në 200. Shumë nga ato që thuhet për Shqipërinë në Itali janë të vërteta, të paktën këtu në Ksamil.
Ndërkohë që ka edhe të tjerë që thonë se postimet në rrjetet sociale janë të sponsorizuara nga “influencers” pasi realiteti është krejtësisht ndryshe.
“Plazhe të vogla plot me çadra dhe shezllone kudo, zhavorr në vend të rërës që sjellin kamionë të posaçëm, ujë i turbullt, jet ski që qarkullojnë majtas-djathtas gjithë ditën me erën e gazit që s’largohet. Dhe përsëri kaos, ngasin keq dhe gjithmonë ka trafik. Çmime të larta sikur të ishim në Miami, papastërti kudo dhe rrugë të këqija. Një makth.”
Krahasimi me Italinë
Por kjo nuk është e gjitha: Trafiku i rēnduar, shoferë të paedukuar, pisllëku dhe qentë endacakë në nivele të tmerrshme. Çmimet shumë më të larta se sa pritej, në Ksamil kemi paguar një çadër dhe 2 shezlongë nga 25 €-50 € në ditë. Nuk do të kthehemi më kurrë.
Një tjetër turist thotë:
Flitet shumë për Italinë, ku çmimet shpesh janë të ekzagjeruara, por shërbimi është aty. Këtu janë në një fazë transformimi dhe për momentin vetëm i kanë rritur çmimet pa i përshtatur strukturat.