Bota e futbollit në Turqi mbërthehet nga kaosi. Pasi arbitri Halil Umut Meler u godit nga presidenti i Ankaragucu, Faruk Koca, me këtë të fundit që zbriti në fushë pasi ekipi i tij pësoi një gol në minutën e 97-të, duke goditur me grusht arbitrin, drejtuesit e futbollit turk kanë vendosur të ndërpresin kampionatin për një kohë të papërcaktuar.
Arbitri Meler mori goditje jo vetëm nga presidenti Koca, por dhe nga njerëz të tjerë që ishin brenda në fushë duke pësuar trauma të dukshme në fytyrë.
“Ndeshjet e të gjithë kampionatit janë shtyrë për një kohë të papërcaktuar”, deklaroi presidenti i Federatës Turke të Futbollit në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
E gjithë skena e rëndë u përcoll live, duke mos lënë asnjë vend për koment, ndërsa ministri i brendshëm turk njoftoi se për këtë ngjarje janë arrestuar tre persona, mes tyre edhe presidenti i Ankaragucu, Faruk Koca. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe vetë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan:
“E dënoj sulmin ndaj arbitrit Halil Umut Meler. Nuk do të lejojmë kurrë që dhuna të përfshihet në sport”, u shpreh Erdogan.
(BalkanWeb)