UEFA i ka dhënë një rëndësi të veçantë takimit të kësaj të hëne që Shqipëria luan në Ligën e Kombeve përballë Gjeorgjisë në Tbilsi.
Fitorja në këtë sfidë mund të jetë përcaktuese për rrugëtimin e dy skuadrave, ndaj për këtë arsye, organizata që drejton futbollin në kontinent, ka caktuar një gjyqtar të njohur.
Bëhet fjalë për holandezin, Danny Makkelie, i cili drejton prej shumë vitesh në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare. Asistentë të tij do të jenë holandezët Hessel Steegstra dhe Jan de Vries, ndërsa gjyqtar i katërt është Allard Lindhout. Në VAR është caktuar Rob Dieperink, ndërsa në AVAR Erwin Blank.
Makkelie është një emër i cili i sjell fat Shqipërisë, pasi në tre takime ku ai ka qenë i pranishëm më parë, ka regjistruar vetëm fitore.
“Hajmalia” holandeze ka qenë gjyqtar i katërt në takimin që Shqipëria fitoi me shifrat 1-0 në Norvegji në mars 2013 falë golit spektakolar të Salihit, ndërsa vetë drejtoi Shqipëri në fitoren 1-0 ndaj Hungarisë, falë Armando Brojës, si dhe në suksesi 3-0 të “Kuqezinjve” tanë ndaj Çekisë, në “Air Albania” vetëm një vit më parë. /i.m /abcnews.al