Maskara e shënuar mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ka risjellë edhe një herë në vëmendje sagën e vrasjeve pas atentatit ndaj Aleksandër Sadikajt e Edmond Papës në 2022.
Si rrjedhojë e hakmarrjeve që vijojnë në dy vite, mbrëmje e djeshme është qëlluar me breshëri plumbash nga një automjet drejt një lokali. Shënjeshtra e atentatorëve ishte Shyqyri Kalemi, babai i Zamir dhe Andrea Kalemit, të dy me precedentë penal, por që plumbat nuk kanë kursyer edhe dy persona të tjerë që nuk kishin lidhje fare me ngjarjen.
Nga breshëri e plumbave humbën jetën Shyqyri Kalemi, Marsel Cela, Bledar Muka, ndërsa i plagosur ka mbetur Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit.
Po kush është Andrea Kalemi dhe saga e vrasjeve në dy vite
52-vjeçari Andrea Kalemi i njohur si Adriatik Kalemi, është një emër shumë i njohur jo vetëm për policinë shqiptare, por edhe ato të huajave. Vetëm një vit më parë Andrea Kalemit ju bë atentat në ishullin Paxos, Greqi.
Në vitin 2001 ai rezulton se është arrestuar nga forcat speciale RENEA. Gjithashtu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Mirëpo në vitin 2022 do të vritej Aleksanër Sadikaj, kushëriri i Andrea Kalemit. Aleksandër Sadikaj humbi jetën pas një atentati mafioz me tritol që iu bë në makinën e tij, teksa ai po udhëtonte në Tiranë.
Nuk do të kalonin shumë muaj dhe do të ekzekutohej në zonën e Selitës biznesmeni Edmond Papa, si shenjë hakmarrje për vrasjen e Sadikajt.
Ai u qëllua të paktën 10 herë në sy të tre fëmijëve dhe bashkëshortes së tij nga një person i cili kishte fytyrën të mbuluar dhe është larguar pa u vënë re nga askush.
Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Aleksandër Sadikajt, Albano Velo, si dhe është në kërkim shoku tjetër Andrea Bode. Ndërkohë në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.