Benard Ndreca, kreu i Rithemelimit në Vaun e Dejës, i cili i shpëtoi sot atentatit me tritol të vënë në mjetin e tij është shprehur se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk dyshon tek askush.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodheshin në banesën e tij që do të bëjnë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Policia dyshon për 2 persona që mund të kenë qenë autorët.
Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 07:10 në fshatin Paçam pranë banesës së Ndrecës. Sasia e tritolit u vu në pjesën e përparme të makinës ndërsa shpërthimi ka ndodhur në momentin që Benard Ndreca ka hipur në mjetin e tij tip ‘Audi’. Shpërthimi është kryer me telekomandë. Provë e dobishme për efektivët e policisë janë kamerat e shumta të sigurisë në banesën e Ndrecës. Pamjet janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe do mund të zbardhin ngjarjen e rëndë dhe autorët. Një pistë për shkakun e atentatit, mund të jetë një mesazh nga posti i tij politik në prag të zgjedhjeve vendore.
Fillimisht, Benard Ndreca ka ndezur makinën, e ka lënë ndezur dhe është rikthyer në banesë për të veshur këpucët. Ai është rikthyer në makinë dhe më pas në momentin që ka qenë duke u nisur, makina e tij tip ‘Audi’ ka shpërthyer në pjesën e përparme. Me të ka qenë edhe e ëma e cila ishte duke e pritur në pjesën e prapme të makinës.
Në vendin e ngjarjes janë paraqitur policia dhe prokurori i caktuar kanë kryer veprimet hetimore, teksa ka mbërritur dhe ish-deputeti i PD-së Zef Hila, i cili kandidon më 14 maj për kryetar të bashkisë. E pranishme është edhe deputetja e PD Greta Bardeli.