Përpos një kundërshtari të lehtë, Kombëtarja shqiptare po përgatitet për të zhvilluar miqësoren e fundit me Azerbajxhanin, përpara sfidës me Italinë në Europian.
Për ish-kapitenin Altin Lala, kjo përballje do të jetë vendimtare. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lala thotë se kuqezinjtë nuk kanë nevojë për motivim përballë Italisë dhe atë ndeshje duhet ta luajnë me fokusim të plotë. Ai ka mbetur i befasuar nga lënia jashtë e tre lojtarëve, si edhe jep shpjegimin pse është i vlefshëm Abrashi në Europian. Ndërkohë, këto miqësore ish-mesfushori thotë se vlejnë që lojtarët të njihen më shumë me njëri-tjetrin.
Sa vlerë pati ajo miqësore me Lihtenshtejnin për Kombëtaren shqiptare?
Në përgjithësi këto janë ndeshje stërvitore më tepër për faktin po themi se edhe kundërshtari s’është i fortë. Unë e shoh logjike, sepse kur dëshiron edhe të provosh ndonjë lojtar të ri që nuk ka shumë minuta me Kombëtaren, është më e lehtë që edhe ata të kuptohen me njëritjetri. Të njihen më mirë, të kenë një vetësiguri në fushë, pavarësisht se janë bashkë në stërvitje, kjo ishte një lojë stërvitore.
Me Italinë praktikisht do të jemi ne ekipi inferior në letër, do të ketë edhe një tjetër përgatitje si ndeshje?
Po, nga ana taktike, do të jetë një ndeshje tjetër, për vetë faktin se ka dallim mes Italisë dhe Azerbajxhanit. Por, edhe nga ana psikologjike që të jesh superior në këto ndeshjet miqësore s’është keq. Ne të gjitha ndeshjet e forta, si me Poloninë dhe Çekinë, kemi pasur rolin po themi të njëjtin rol siç do ta kemi me Italinë. Jemi munduar të jemi kompakt, të mos i lejojmë hapësira kundërshtarit. Kjo mënyrë taktike do të jetë edhe me Italinë. Mendoj se trajneri nuk do të ngjitet lart t’i bëjë presing, siç luan Mançester Siti. Atë e bën vetëm Siti dhe Barcelona në kohën e vet, ose skuadra të mëdha, kështu që do të jetë ndryshe.
Pse Abrashi mund të jetë i vlefshëm në Europian kur s’ka qenë i pranishëm në asnjë ndeshje kualifikuese?
Abrashi nga mentaliteti që ka. Unë e njoh që në 2013-ën dhe është një lojtar energjik, serioz, shumë punëtor, vrapon shumë dhe ndoshta do t’i nevojitet trajnerit edhe për ndeshjen me Italinë. Aty vjen në 120 për qind i fokusuar, për të fituar dyluftime. Pavarësisht se është 34-vjeç, ai vjen shumë mirë nga ana fizike, ka eksperiencë dhe patjetër që mund të jetë një faktor. Nuk e di do të luajë nga fillimi apo jo, kjo do të shihet kur të vijë dita e ndeshjes. Por, e shikoj pozitive.