Home
“Kam ndenjur pa gjumë atë natë, mu rrënqeth trupi”! Ardian Ismajli tregon si e përjetoi si tifoz Shqipërinë: Vetëm hapja telefonin dhe lexoja lajme
On Oct 27, 2023
0
Share
Shqipëria shkakton emocione të forta, nga ato emocione të cilat janë jo vetëm positive, por edhe ato që lënë pasoja. Taulant Seferi tregoi në “Koha Shtesë” se pas golit të shënuar prej tij kundër çekëve, babai i tij i ndodhur në stadium piu menjëherë kokrra për të qetësuar veten pas luhatjes së tensionit. E njëjtë paraqitet edhe situata te Ardian Ismajli, me babain e tij që më parë ka kaluar dy sulme në zemër dhe nuk mund të qëndrojë kurrsesi i qetë kur luan Shqipëria, pavarësisht se Ardiani mundohet ta qetësojë. Në një intervistë për “Koha Shtesë”, Ardian Ismajli ka folur për gjithçka.
“E di historinë e Taulant Seferit, si babai i Taulantit dhe babai im janë shumë emocional. Babai im ka kaluar dy sulme në zemër më parë dhe duhet që të qëndrojë shumë i qetë. E kam frikë sigurisht kur luan Shqipëria, sepse edhe emocionet e tepërta positive mund t’i bëjnë dëm. Gjithmonë i them para ndeshjes: “Babi, qetësohu, të lutem mos u përfshi shumë në ndeshje”. Më thotë mirë vetëm sa për të kaluar radhën, por unë e di se vetëm i qetë që nuk qëndron kur fillon ndeshja pastaj. T’i ndaloj shikimin e ndeshjes? Nuk bëhet fjalë, është i pamundur ky variant.
Lojtari i Polonisë që kemi këtu te Empoli, Bartosz Bereszynski më pyeti pas ndeshjes që zhvilluam kundër tyre: “Sa tifozë keni në Air Albania?”. I thashë se stadiumi ynë mban vetëm 22.000 tifozë. U habit dhe më tha: “Mendova se mbante 50.000, ata dëgjoheshin dhe ishin më të flaktë se ne kur luan Polonia dhe stadiumi ynë mban 58.000 tifozë”. Imagjinojeni, kur këta tifozë ndikojnë kaq shumë te këta rivalë, jo më te ne.
Nuk i harroj dy ndeshjet, Portugali-Shqipëri dhe Serbi-Shqipëri. Në ndeshjen e Beogradit, kam qenë në Gjermani, po bëja prova te Paderborn. Isha me xhaxhain dhe gruan e tij aty, ishim në shtëpi. Ishte rrënqethje trupi, ishte gjë e madhe kur i sheh shqiptarët aty dhe mënyra sesi ne u sulmuam. Kam ndenjur pa gjumë atë natë, vetëm hapja telefonin dhe lexoja portalet, lajmet dhe emisionet çfarë po dilnin në atë mbrëmje. Në atë ndeshje kemi bërë një fitore kundër serbëve, mposhtëm armikun më të madh në historinë tonë”, tha Ismajli. /Sport Ekspres/