Armand Duka ishte i ftuar përmes një lidhjeje direkte në emisionin “Elite Show“, që transmetohet në ekranin e “Supersport“-it. Kreu i FSHF-së ka folur ndër të tjera edhe për ekipin kombëtar, teksa bën të ditur se Federata ka rezervuar paraprakisht hotelet në të gjitha qytetet ku do të zhvillohet Kampionati Europian Gjermani 2024.
“Për ndeshje të tilla, çdo lloj stadiumi është shumë i vogël. Interesi është shumë i madh, por ata 22 mijë që do të jenë aty, do të mbështesin maksimalisht kombëtaren. Kemi një ndeshje shumë të vështirë, përballë një kundërshtari të fortë, por edhe ne jemi shumë të fortë. Ne në një lloj mënyre e kemi prerë biletën, pasi kemi bërë prenotimet në hotelet në të gjithë qytetet e mundshme ku do të ketë ndeshje. Kemi edhe tre finale, ndaj shpresoj që ta arrijmë edhe në fushë, duke dhënë maksimumin
Unë kam qenë i kënaqur me atmosferën në skuadër pas ndeshjes me Çekinë. Shkova në dhomat e zhveshjes i lumtur, pasi morëm një barazim të rëndësishëm, por nuk i gjeta duke festuar dhe më thanë që do të gëzojnë vetëm kur të sigurojnë kualifikimin. Djemtë janë të gjithë shumë profesionistë dhe në Çeki nuk shkohet për të festuar me një barazim. Kundërshtari është i fortë, për t’u respektuar, por jo për t’u pasur frikë. Do të japim maksimumin dhe shpresoj të marrim maksimumin, Është një ndeshje që ka tre rezultate brenda”, ka deklaruar Armand Duka