Anëtarë të fisit Maja në Borizanë të Krujës janë kërcënuar në rrjetet sociale nga persona të paidentifikuar që fshihen pas profileve anonime.
Pas dhunës brutale ndaj Jashar e Bilbil Majës, anëtarët e fisit nuk kanë gjetur qetësi, pasi së fundmi janë kërcënuar në rrjetin social Facebook.
Për këtë, shteasi Lulzim Maja, kushëri i Bilbil dhe Jashar Majës ka bërë kallëzim në sektorin e krimeve kibernetike në Policinë e Tiranës, për çka policia po thotë se ika referuar materialet në prokurori.
“Me datë 10.07.2023, është paraqitur pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë shtetasi L. M., 43 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, i cili ka kallëzuar se në llogarinë e profilit të tij në Facebook ka marrë disa mesazhe me përmbajtje kërcënuese, nga një llogari e panjohur.
Pas kallëzimit të marrë nga 43-vjeçari, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, për veprime të mëtejshme procedural”, njofton Policia e Tiranës.
Kujtojmë se për dhunën ndaj fisit Maja janë arrestuar 8 persona ndërsa në kërkim janë ende Xhelal dhe Rexhep Rraja, vëllai dhe djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.