Presidenti i ekipit të futbollit ‘Iliria’ nga Fushë-Kruja, Nazmi Selmani, së bashku me tre djemtë e tij futbollistë dhe Redian Locin, janë arrestuar nga policia e Durrës pasi kanë kërcënuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Ngjarja ka ndodhur një natë më parë.
Mësohet se presidenti i klubit të futbollit nga Fushë-Kruja, Nazmi Selmani së bashku me tre djemtë e tij futbollistë të këtij ekipi, Adolfin, Brajanin dhe Santiagon, si edhe me Petrit Selmanin dhe Redian Locin, pasi kanë kërcënuar me ‘sms’ kreun e FSHF-së, më pas kanë shkuar në banesën e këtij të fundit në Durrës për ta kërcënuar nga pranë.
Kreu i klubit të Ilirisë që militon në nivelin e tretë të futbollit shqiptar, i ka kërkuar favore për ekipin e tij Dukës, me këtë të fundit që nuk ka qenë dakord, duke e denoncuar.
Pas denoncimit, policia njofton se ka arrestuar Redian Locin, Petrit Selmanin, Brajan Selmanin, Santiago Selmanin dhe Nazmi Selmanin, teksa në gjendje të lirë u proceduan Adolf Selmani dhe A.S.
Sakaq, kreu i klubit të Ilirisë, Nazmi Selmani ka deklaruar në polici se Armand Dukën e ka mik dhe e ka kërcënuar në gjaknxehtësi e sipër.
Njoftimi i policisë:
Kërcënuan me sms për shkak të detyrës 62-vjeçarin, Policia kap dhe vë në pranga 5 shtetas si dhe procedon penalisht dy të tjerë.
Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.
Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.