“Kishte 1 milion euro pasuri!”/ VOA: Oltion Bistri drejtonte strukturën më të rëndësishme të përgjimeve!

Date:

- Advertisement -

Prokuroria e Posaçme njoftoi të mërkurën vënien nën sekuestro të rreth 1 milion euro pasuri, në prona të paluajtshme, të cilat i përkisnin ish drejtorit të Forcës operacionale Oltion Bistri, i arrestuar në muajin korrik, në kuadër të hetimeve ndaj disa grupeve kriminale në vend.

Emri i tij u zbulua falë deshifrimit nga ana e autoriteteve të drejtësisë belge dhe hollandeze, të komunikimeve të realizuara përmes shërbimit të koduar Sky EncroChat, të cilat iu dorëzuan Prokurorisë së Posaçme.

Në njoftimin zyrtar, prokuroria bëri të ditur se “nga hetimet e kryera dhe provat e administruara është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim i hetuari Oltion Bistri dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme”.

Bëhet fjalë për të paktën tre apartamente në Tiranë, me një sipërfaqe totale mbi 900 metra katrorë, më nje vlerë të përllogaritur në mbi 450 mijë euro, si dhe dy dyqane, po në kryeqytet, me një sipërfaqe totale prej 220 metrash katrorë, vlera e të cilave shkon në mbi 530 mijë euro.

Ish oficeri i lartë i policisë, Bistri ka një eksperiencë të gjatë në polici, ku ka mbajtur disa poste me rëndësi. Forcat operacionale të cilat ai drejtoi deri pak ditë përpara arrestimit janë ndër strukturat më të rëndësishme të cilat kryejnë mes të tjerash dhe përgjime ambientale për llogari të prokurorisë.

Bistri dyshohet se u ka ofruar elementëve kriminalë, informacione të cilat ai i siguronte për shkak të detyrës.

Gjatë operacionit që çoi në arrestimin e tij, në pranga përfundoi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish punonjës policie, emra të njohur të botës së krimit si dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka. Ky i fundit dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje.

Emri i biznesmenit Gjoka, është lakuar shpesh në mjediset politike, pasi opozita e ka akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të partisë socialiste.

I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk rezulton të ketë nisur ende./VOA

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related