Klaudio Prendi është 28-vjeçari i ekzekutuar gjatë mesnatës në zonën e Xhamllikut në Tiranë.
28 vjeçari është djali i ish gjyqtarit Fran Prendi, i cili dha dorëheqjen nga Gjykata e Posaçme në 2020.
Pasi ka konsumuar kafe në një lokal të zonës me disa miq të tij, ai është larguar dhe teksa po hipte në automjetin e tij është qëlluar disa herë, ku ka marrë plumba në kokë, gjoks dhe krahë.
Autorët duket se kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të tij pasi e kanë pritur deri sa ai ka dalë vetëm nga lokali dhe e kanë qëlluar me breshëri plumbash. Pasi e kanë vrarë dhe ia kanë bërë makinën shoshë me plumba, autorët janë larguar dhe rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”, i cili dyshohet të jetë i tyre.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre dhe as nuk dihen rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”. Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.