Njësitë speciale të Policisë së Maqedonisë kanë bërë të mundur nxjerrjen nga lumi Lepenc makinën me tre trupat e pajetë të shtetasve të Kosovës, e cila të shtunën kishte rënë në lumë pas një aksidenti me një automjet tjetër.
Në veturë ishin katër anëtarët e familjes Pacolli, ku vetëm njëri arriti të shpëtojë.
Shkëlqim Pacolli, 21 vjeçar, ka kërcyer nga vetura e tipit BMW që u aksidentua pranë Gurit të Zi, te tuneli i Shkupit. Ndërsa, familjarët e tij fatkeqësisht gjetën vdekjen. Naim Pacolli, Merita Pacolli dhe Ermal Pacolli janë pasagjerët të cilët u nxorën nga lumi etëm pak më parë.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë.
Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre. Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh.
Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka shkruar Kurti.