Një vend i vogël dhe jo me mundësitë turistike të Shqipërisë si Mali i Zi, na jep leksion në lidhje me menaxhimin e plazheve, që në vendin tonë në të shkuarën janë bërë edhe çështje për tu vrarë njerëz e për të hyrë familjet në gjakmarrje.
Mediat malazeze bëjnë me dije se qeveria ka urdhëruar që 50% e plazheve në vend të jenë publike, pra pa pagesë. Gjithashtu, pas orës 17:00 edhe plazhet private do të jenë pa pagesë. Në lidhje me këtë kujtojmë perlën e ministres Kumbaro që ka urdhëruar privatin të lëshojë çadrat falas pas orës 19:00.
Ndërkohë, sipas një VKM-je të nxjerrë para këtij sezoni veror, qeveria ka urdhëruar që 30% përqind e plazheve tona të jenë publike. Gjithsesi, që të gjesh një plazh publik në vendin tonë është një mision mjaft i vështirë, sepse as kjo masë nuk po respektohet si duhet.
Me pak fjalë, qeveria jonë në një kohë kur jemi kthyer në një vend të parapëlqyer nga turistët, bie pre e babëzisë dhe i heq shansin të bëjnë plazh njerëzve të varfër e atyre që kërkojnë qetësinë e tyre. Mali i Zi, me një vijë bregdetare shumë më të vogël si e jona, na jep leksion.