“…..pyte nonen e kalamajve tuj pyti fmijt e tuj a i kam bo un me qajt…”, ky ka qenë mesazhi kërcënues i cili mbrëmjen e djeshme mbërriti në telefonin e Presidentit të FSHF-së, Armand Dukës.
Ky mesazh kërcënues është dërguar nga presidenti i klubit të futbollit “Iliria”, Nazmi Selmani, i cili rezulton të jetë po ashtu edhe pronari i resortit të njohur në Fushë Krujë “Nord Park Resort”.
Këtë të shtunë Nazmi Selmani së bashku me anëtarët e tjerë të fisit të tij, të cilët po ashtu janë emra të njohur në botën e futbollit, ranë në prangat e Policisë së Durrësit pasi kërcënuan presidentin e Federatës së Futbollit Shqiptar, Armand Dukën.
Fillimisht sipas asaj që u bë me dije nga blutë e qytetit bregdetar, presidenti i FSHF-së mori një mesazh kërcënues në telefon dhe më pas Nazmi Selmani së bashku me Petrit Selmani, Brajan Selmani, Santiago Selmani, Adolfo Selmanin, Redian Locin dhe shtetasin me A.Selmani 39-vjeç, nuk u mjaftuan me aq dhe i shkuan poshtë banesës Armand Dukës për ta kërcënuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se presidenti i klubit “Iliria” e ka kërcënuar Dukën se pse nuk i merr të birin te Kombëtarja. Konkretisht bëhet fjalë për Gentian Selmanin i cili aktualisht është pjesë e ekipit të Tiranës. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Kombëtares shqiptare, teksa me Kombëtaren A ka zhvilluar 4 ndeshje.
Por, presidenti Duka nuk ra pre e kërcënimeve dhe menjëherë njoftoi autoritetet të cilët bënë të mundur arrestimin e presitentit të klubit “Iliria”, Nazmi Selmanin, dy futbollistët Brajan dhe Santiago Selmani dhe shtetasit Petrit Selmani dhe Redian Loci.
Ndërsa në gjendje të lirë u procedua futbollisti tjetër Adolfo Selmani si dhe shtetasi A.Selmani, 39 vjeç.