Për dekada me radhë, toka pjellore përreth Kiparisias në brigjet e detit Jon, ka qenë e njohur më së shumti për pemët e saj të ullirit.
Por edhe kjo pjesë e Greqisë perëndimore, ku zakonisht ka më shumë reshje shiu se në zona të tjera të vendit, po përballet me efektet e thatësirës. Një nismë e drejtuar nga shteti tani po i prezanton fermerët vendas me frutat tropikale si mango apo avokado, të cilat nuk kërkojnë dhe aq shumë ujë për një rendiment mjaft të mirë. “Ndryshimet klimatike na sollën në pikën kur duhet të kërkojmë kultura alternative”, thotë banori i zonës, Panos Adamopoulos.
“Një nga qëllimet tona kryesore tani është të shmangim përdorimin e tepërt të ujit për të ujitur bimët. Dhe bimët subtropikale nuk kanë aq shumë nevojë për ujë sa të tjerat, si shalqiri dhe patatet. Edhe ullinjtë tani duan shumë më tepër ujë. Ndërsa avokadot dhe mangot nuk kanë nevojë”, tha një fermer Panos Adamopoulos.
Antonis Paraskevopoulos, kreu i bujqësisë për rajonin e Trifilisë, thotë se vitet e fundit, zona është pllakosur gjithmonë e më shumë nga thatësira.
“Në këto dy apo tre vjet, ka pasur një reduktim të ndjeshëm të reshjeve të shiut dhe valë shumë më të zgjatura thatësire me temperature mjaft të larta. Tashmë, kemi të dhëna të reja. Kriza klimatike është këtu, ka mbërritur. Për këtë arsye, duhet t`i shohim me kujdes kulturat ekzistuese e të mendojmë përshtatjen me varietet e reja. Kur menduam se si të eksperimentojmë më mirë, gjëja e parë që na erdhi në mend ishin bimët subtropikale”, tha një zyrtar lokal, Antonis Paraskevopoulos.
Edhe pse avokadot kultivohen tashmë rritet në ishullin e Kretës, ekspertët nuk ishin të sigurt nëse bima do t’i përshtatej kushteve edhe në Greqinë kontinentale, por inovacioni po konsiderohet tani si thelbësor për të shpëtuar sektorin e bujqësisë nga problemet klimatike.