Florisel Gjata, djali 15-vjeçar nga Korça i cili vuante nga një sëmundje e rëndë, që i preku organet e trupit, është nisur për kurim në Itali. Lajmi i mirë është bërë i ditur nga Erald Myftaraj, i riu që bëri një thirrje për të ndihmuar Floriselin. Në një video dërguar për JOQ Albania, Eraldi njofton se djali i vogël është nisur për në Itali pas ndihmës që ofruan shqiptarët për kurimin e tij.
“Mbrëmë në darkë më erdhi një mesazh që ma shtoi jetën. Ishte një lajm shumë i gëzueshëm që desha ta ndaj me të gjithë ju që e bëtë të mundur të vinte ky mesazh. Floriseli, djali trim, djali inteligjent, që kishte nevojë të për transplant zemre iu dha mundësia që të kurohet në Itali. Ju falenderoj nga zemra, edhe Zoti ua shpërbleftë inshaAllah sepse “karma” nuk ekziston vetëm për gjëra të këqija, por edhe për të mira. Zoti u ndihmoftë aty ku keni nevojë. Respekte shqipe! Florisel forca!” – thotë Eraldi për JOQ.
Floriseli ndodhej në reanimacion te spitali “Nënë Tereza”, pasi kishte bërë dy operacione në Austri. Kurimi i tij varej vetëm nëpërmjet një transplanti, paratë e të cilit u mblodhën nga shqiptarët në kohë rekord duke i ardhur në ndihmë në momentin e duhur 15-vjeçarit. Një jetë e shpëtuar dhe një vepër e mirë nga shqiptarët, të cilët me pak para, kontribuan në jetën e një 15-vjeçari.