“RE HX 112” është targa gjermane e cila mbante makina tip “BMW X5” e autorëve të atentatit të mbrëmjes së 12 Marsit ndaj lokalit të Fation Muratit në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet, ku mbeti e vrarë aksidentalisht banakierja e lokalit Mimoza Paja. Automjeti tip “BMW X5”, së bashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës.
Nga hetimet ka rezultuar se targa gjermane “RE HX 112” ka hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Morinës nga 28-vjeçari Nikoll Sherrniku nga nga Fushë Kuqe e Kurbinit, të cilit i është komunikuar masa e arrestit në lidhje me këtë krim në ambientet e burgut të Shënkollit në Lezhë, ku ai qëndron që për gushtit të vitit të kaluar, i akuzuar dhe në lidhje me dy krime të tjera.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se targat gjermane janë targa provizore të cilat i janë dhënë nga shteti gjerman Nikoll Shërnikut, pasi ky i fundit ka blerë një automjet në Gjermani.
Dhënia e targave provizore është bërë në mënyrë që Sherniku t’i përdorte ato feri në momentin e transportimit të makinës në Shqipëri ku do i nxirrte makinës targa të reja shqiptare. Makina dhe targat provizore në emër të Nikoll Shërnikut, janë futur në Shqipëri nga Kosova duke u shënuar në sistemin TIMS.
Por, për grupin hetimor Nikoll Sherrniku ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni në lidhje me atentatin e “Don Boskos”, pasi ai ka qenë në burg në atë kohë. Shërniku, ka pretenduar se targat i ka lënë në ambjentet e Drejtorisë së Transporteve në Lezhë, vend ku kishte targuar me targa Shqiptare makinën e blerë në Gjermani.
Policia dyshon se sulmi me armë ishte pjesë e një zinxhiri përplasjesh mes dy grupeve kriminale rivale, një version ky që po përforcohet edhe pas zbulimit së të pronësisë së targave të mjetit të përdorur në atentat.
Dyshohet se targat gjermane “RE HX 112”, Nikoll Sherrniku ia ka hequr automjet të tij dhe ia ka dhënë anëtarëve të një grupi kriminal që vepron në zonën e Laçit dhe Lezhës.
Policia pretendon se pas mbarimit të afatit të përdorimit të këtyre targave Nikoll Shërniku, i ka hequr dhe ja ka dhënë anëtarëve të një grupi kriminal që vepron në zonën e Laçit dhe Lezhës. Ky grup besohet se ka financuar dhe organizuar atentatin ndaj njerëzve të Fatjon Muratit, në shënjë hakmarje për vrasjen e Briland Martinaj,Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës.
Nikoll Sherrniku u arrestua më 17 Gushtin e vitit të kaluar, pasi sipas Policisë, po tentonte të kryente një atentat. Ai u kap në automjetin e blindur tip “Toyota” të parkuar në afërsi të një pallati në Kune të Shëngjinit, bashkë me drejtuesen e mjetit 34-vjeçarja, Flutura Berisha dhe një i mitur 15 vjeç. Policia iu sekuestroi një automatik me fishekë në fole gati për qitje, dy krehëra me fishekë, 2 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.
Por, ditën kur u arrestua, Nikoll Sherrniku theu dhe masën “arrest shtëpie” pasi akuzohej për një tjetër krim. Ai ndoedhej nën atë masë sigurie në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xhuliano Prela, ku akuzohet për veprën penale “Krijimi i kushteve për të kryer vrasje”. Për vrasjen e këtij të fundit është akuzuar dhe Brilant Martinaj, i cili kishte fituar lirinë, para se të vritej tek masakra e mbikalimit të Fushë Krujës.
Nikoll Sherrniku njihet si anëtar i grupit të Ervis Martinajt dhe shok i ngushtë i nipit të vrarë të këtij të fundit, Brilant Martinajt.