Policia e Pejës në Kosovë, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e një TikTok-eri i cili akuzohet për “Shtytje në kryerjen e veprës penale ‘degradimi i integritetit seksual”.
Ky personazh i njohur i këtij rrjeti social është Xhemal Uka, me origjinë nga Puka. Shqiptari që në TikTok njihet me emrin “FireFire” aktualisht ndodhet në një burg të Francës për grabitje me dhunë.
Gjykata e Apelit në Caen e ka dënuar shqiptarin për një seri vjedhjesh të kryera nga fundi i dhjetorit 2020 deri në fillim të janarit 2021 në disa qytete franceze. Kjo gjykatë ka lënë në fuqi dënimin me katër vite burg për shqiptarin Uka, pasi ky i fundit ishte dënuar në dhjetor 2021 nga Gjykata Penale e Caen-it, së bashku me një tjetër shqiptar.
Në vitin 2020 Uka ka mbërritur në Francë për azil pasi pretendonte se në Shqipëri i rrezikohej jeta për shkak të plagosjes së një polici në 2015. Por me mbërritjen në shtetin francez ai nisi vjedhjet në disa qytete, gjatë ditës e natës, në shtëpi që ishin të pabanuara, por jo vetëm. Vjedhjet e tij përfshinin bizhuteri, ora, elektroshtëpiake vlera e të cilave konsiderohet se kapte një shifër prej 94,000 euro. Madje ai dyshohet se ka tentuar të shesë disa bizhuteri të vjedhura në një dyqan në Paris, por askush s’ia ka blerë.
Ndërkohë që në Shqipëri, Xhemal Uka është arrestuar në moshën 20-vjeçare pasi në dhjetor të vitit 2015, ka goditur me thikë policin Sami Gjyzelin, efektiv i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Durrësi. Frika se familja e policit mund ta lëndonte, e kanë shtyrë Ukën që të largohet nga Shqipëria.
Por qëndrimi në burg dhe sfidat në TikTok e kanë rikthyer sërish në vëmendjen e shqiptarëve. Sfidat që ai realizon në këtë rrjet social janë skandaloze dhe aspak normale. Madje sfida e fundit e zhvilluar me një të ri nga Kosova u bë shkak për arrestimin e tij dhe mbylljen e rrjeteve sociale nga ana e Ukës.