Syri i Kaltër në Delvinë është shpallur prej muajsh monument natyror dhe shteti e ka ndaluar plazhin aty. Pas shumë vitesh, u morë vendimi që pushuesit vendas dhe turistët të mos lejohen të bëjnë plazh në këtë vend të shpallur monument natyre.
Video e publikuar nga aktivisti Arben Kola
Mirëpo, siç ndodh shpesh në Shqipëri ku çdo gjë është sa për sy e faqe, Syri i Kaltër edhe këtë vit është kthyer në një zonë plazhi.
Qindra e mijëra pushues e turistë të huaj lahen aty, e kanë bërë që në nisje të sezonit veror dhe e bëjnë dhe tani që po afron fundi. Aktivisti dhe guidieri Arben Kola ka shkuar dje pranë burimit të Syrit të Kaltër dhe u ka treguar pushuesve se nuk duhet të laheshin atje.
Në pak minuta, mbi të gjitha me shumë kujdes dhe dashamirësi, Kola u ka kërkuar pushuesve që të respektojnë tabelat kufizuese që paralajmërojnë se vendi është një monument natyror i mbrojtur nga shteti dhe ku nuk lejohet plazhi.
Atë që nuk e bën Ministria e Turizmit dhe institucionet shtetërore që paguhen për këtë punë, e ka bërë brenda pak minutash guidieri shqiptar. Ai u thotë turistëve në gjuhën angleze se tabelat ishin aty, ndaj ata duhet t’i respektonin. “Do e bënit këtë në vendin tuaj”, është pyetja retorike që shtron ai, pasi dihet që në vendet evropiane askush nuk mund të cënojë këto zona të mbrojtura.