Armando Broja përgatitet për të luajtur Europianin e parë me fanellën e Shqipërisë. Sulmuesi i kombëtares në një intervistë për “The Athletic”, tregon edhe për marrëdhënien me trajnerin e kombëtares, Sylvinho.
22-vjeçari, theksoi se tekniku brazilian e mbështeti në momentin e tij më të dobët, ndërsa shtoi se Sylvinho e kishte garantuar se do të ishte pjesë e projektit të tij te Shqipëria.
“Kam folur shumë herë me Sylvinhon në telefon. Ai erdhi më takoi në Angli kur unë isha ende me paterica, më pas erdhi sërish kur luaja për Fulham. Më siguronte vazhdimisht se donte shumë që të punonte me mua duke më garantuar se isha pjesë e projektit të tij me Shqipërinë.
Më bëri të ndjehesha i dashur dhe i vlerësuar, është diçka që lojtarët e rinj e kanë shumë të nevojshme. Më hodhi dorën në krah në momentin tim më të dobët dhe kur unë kisha më shumë nevojë.
Kur iu bashkova Shqipërisë në muajin mars, ndjeva menjëherë dashurinë e grupit. Ishte një nga momentet më emocionuese për mua, sidomos më pas kur luajta dhe tifozët thërrisnin emrin tim. Stadiumi ishte mbushur i gjithi.”
Më pas, Broja kalon te periudha e vështirë me Fulham ku u huazua në janar nga Chelsea, edhe pse tregon në intervistë se fillimisht pati premtimin e trajnerit Marco Silva se do të merrte minuta të konsiderueshme.
“Më pas më trishtoi fakti që në atë ndeshje me Shqipërinë luajta më shumë minuta se në katër muajt e fundit me Fulham. Para merkatos së janarit pati shumë pikëpyetje. Unë doja vetëm një siguri dhe në mendjen time kisha gjithnjë pyetjen se ku do të luaja në janar. Kishte shumë spekulime. Në fund isha unë që vendosa për huazimin pasi doja minuta, doja të luaja për të rritur gjendjen fizike para Europianit.
Marco Silva te Fulham më kërkoi dëshpërimisht. Më tha se do të merrja minuta dhe se do të luaja shumë ndeshje. Por, nuk më ndihmoi fati pasi Muniz nisi të shënonte vazhdimisht dhe është e vështira ta zëvendësosh një futbollist kur shënon shumë.
Silva më tha që të vazhdoja të punoja pasi do të vinte edhe momenti im, do të ma jepte mundësinë. Por, ajo mundësi nuk erdhi kurrë. Unë bëra gjithçka që të përfshihesha në skuadër, nuk kishte të bënte aspak me dëmtimin tim. Stërvitesha në mënyrë profesionale, kisha një marrëdhënie të shkëlqyer me shokët e skuadrës, stafi teknik ishte i mrekullueshëm.
Por, në fund mendoja se po harxhoja kohë. Katër muaj karrierë vetëm duke u stërvitur, ndosha edhe te Chelsea po të kisha qëndruar mund të kisha marrë më shumë minuta. Kjo nuk më pëlqeu aspak, por kështu e ka futbolli. Duhet të ecësh para dhe ta marr këtë eksperiencë si një mësim”, u shpreh Broja.