Detaje të reja janë zbardhur për zhdukjen e mistershme të dy 46-vjeçarëve në Sarandë, Leonard Thodhori, njohur si “Koçole” dhe miku i tij Fatmir Sulovari (Krasniqi).
Ka dyshime se në rrëmbimin dhe zhdukjen e tyre janë përfshirë 6 persona, mes tyre edhe një i dënuar me burgim të përjetshëm me inicialet A.T, nga veriu i Shqipërisë.
Ky i dënuar me burgim të përjetshëm dyshohet se ka orientuar njerëzit nga qelitë e burgut ku vuan dënimin për rrëmbimin e dy 46-vjeçarëve. Për më tej, i dënuari ka miqësi dhe ka vuajtur një pjesë të dënimit me të dyshuarin tjetër të kësaj ngjarje, shtetasin Ledjan A. nga Saranda.
Shkak për rrëmbimin dhe zhdukjen e Koçoles dhe Sulovarit dyshohet se është bêrë trafiku i hashashit dhe kokainës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Vlen të thuhet se muajt e fundit ka patur një seri vrasjesh në Sarandë, Tiranë dhe Greqi për shkak të këtij biznesi.
Dyshimet janë se Koçole dhe Sulovari janë vrarë në fshatin Vrinë të Sarandës, por trupat e tyre ende nuk janë gjetur.