Kombëtarja shqiptare do të luajë më 17 qershor ndeshjen e dytë kualifikuese në kuadër të Euro 2024, atë kundër Moldavisë. Një rival modest në dukje, por që mund t’i hapë punë kuqezinjve, të cilën kërkojnë fitoren.
Salvador Kaçaj, ish-futbollisti i Kombëtares, në një intervistë për News24, tregoi diferencat mes ekipit të sotëm kombëtar dhe asaj të 1995 kur kuqezinjtë fitonin pastër 3-0 përballë Moldavisë dhe vetë Kaçaj, edhe pse mbrojtës shënonte.
Sipas Kaçajt, futbollistët e atij brezi e ndjenin fanellën më shumë se lojtarët aktualë. Ish-futbollisti i Kombëtares gjithashtu del kundër rrymës, teksa thekson se shanset për t’u kualifikuar në Evropian janë minimale, pasi këtij ekipi i mungon boshti dhe dashuria për fanellën.
Kaçaj u shpreh se mungesa e Brojës ndihet jashtëzakonisht shumë, teksa përmend faktin se ishte ai që me cilësitë individuale i dha gjashtë pikë Shqipërisë kur mundëm Hungarinë dy herë. Rikthimi me Armando Sadikun në sulm, është regres, sipas Kaçajt.
(BalkanWeb)