Policia e Krujës ka shpallur në kërkim djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja, si një prej personave të përfshirë në dhunën barbare ndaj vëllezërve Maja.
Policia thotë parmes një njoftimi se vetëm tani është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e Rexhep Rrajës, ndonëse ai dallohej qartë në videon e publikuar mëngjesin e sotëm.
Djali i Rrahman Rajës, Rexhepi duket në video i veshur me bluzë të zezë teksa mban në dorë një shkop bejsbolli me të cilin dhunon vëllezërit Maja.
Aktualisht për ngjarjen e rëndë janë ndaluar katër persona dhe janë në kërkim tre të tjerë, përfshi edhe vëllain e Rrahman Rrajës, Xhelal Rraja, i cili është pronari i gurores që u bë shkak për sherrin.
Rexhep Rraja është bërë i njohur për publikun e gjerë gjatë konfliktit me ish të dashurën Xhisiela Maloku, të cilën dyshohet se e dhunonte dhe e mbante të izoluar për një kohë të gjatë duke bërë që të përfundonte në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja u mbyll në atë kohë si “grindje mes të dashuruarve” pasi Xhisiela ndryshoi dëshminë.
Njoftimi i Policisë:
Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.