Sumeja Zumberi, një 18-vjeçare nga Kosova, ka realizuar ëndrrën e saj duke hapur kafenenë e saj në Bremen, Gjermani e cila është e para vetëm për femra në këtë qytet.
Ajo ka krijuar një hapësirë ku burrat nuk lejohen të qëndrojnë, me qëllimin që të ofrojë një ambient më të rehatshëm për gratë, veçanërisht ato që kanë pasur përvoja të këqija ose nënat me fëmijë.
“Jam e sigurt që gratë ndihen më rehat këtu se kudo tjetër. Sidomos ato që kanë pasur tashmë përvoja të këqija dhe nënat që ushqejnë me gji fëmijët ose që vijnë me fëmijë, do të gjejnë një vend të sigurt. Këtu burrat lejohen të blejnë një akullore në banak, por nuk lejohen të qëndrojnë.”
Studentja mbështetet nga familja e saj, e cila prej 30 vitesh jeton në Gjermani. Zumberi:
“Ne jemi shqiptarë nga Kosova për financat dhe sigurimet kujdeset babai, ndërsa në lokal më ndihmon nëna”.
Kafenetë e tjera në lagjen Gröpelingen janë të mbipopulluara me burra, dhe Sumeja ka vendosur të ndryshojë këtë situatë. Që nga hapja e saj gjashtë javë më parë, ajo ka marrë shumë reagime, kryesisht pozitive, duke ndihmuar gratë të ndihen më të sigurta dhe të patrazuara. Megjithatë, koncepti i saj ka shkaktuar debate të forta te gjermanët dhe në internet. Disa njerëz e quajnë këtë një përjashtim të padrejtë , ndërsa të tjerë e mbështesin si një hapësirë të nevojshme për gratë.
Sumeja e sheh kafenenë e saj si një vend ku gratë mund të shkëmbejnë ide dhe të ndihen rehat, duke theksuar se kjo ndihmon në krijimin e një ambienti të sigurt për to.