“Silvinjo më thotë “s’më ke sjellë lojtarë të mirë””, Bushi analizon Kombëtaren para Euro 2024: Logjika thotë që Broja dhe Asani nuk kapin formën

Date:

- Advertisement -

Alban Bushi ka bindjen se Shqipëria mund të bëjë më mirë se në Euro 2016 dhe se ka forcë që në Gjermani 2024, të kalojë grupin. Trajneri i përfaqësueses Shpresa, ka analizuar kuqezinjtë në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, duke shfaqur bindjen që ka për atë që mund të bëjë ekipi.

Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai foli edhe për të ardhmen e përfaqësueses që drejton, duke e cilësuar si gjë shumë të mirë nëse Shqipëria merr organizimin e Euro 2027, edhe pse tifozët e kontestojnë aktivitetin në bashkëpunim me Serbinë.

Pikësëpari Bushi, përpara se të flasim për ekipet përfaqësuese, të dielën luhet finalja e titullit, Partizani-Egnatia. Si e shihni këtë sfidë, kë shihni favoritë?
Janë dy ekipet më të forta, janë plotësisht me meritë aty. Unë mendoj se Egnatia është më favorite pasi ka qëndruar gjatë gjithë vitit në krye. Në krahun tjetër, Partizani është favorit se luan në shtëpi.

Bushi, jeni të kënaqur me skemën, ishte një risi për të gjithë…
Gjithmonë ka pakënaqësi. Po të pyesësh Egnatian do t’i vijë keq pasi ka qenë në krye prej fillimit të sezonit, për ekipet e tjera është një favor. Risi, ka qenë e duhura, për momentin. Duhet të shikojmë finalen, rëndësi ka edhe ajo ndeshja për vendin e 3-të.

Në nivel përfaqësues, ka pasur elementë të rinj, lojtarë që mund t’i shërbejnë ekipeve zinxhirë? Prisni diçka më shumë nga klubet, nga puna me ekipet zinxhir? Për shembull Gaz Demi, e ka fiksim, në çdo dalje publike, kërkon aktivizimin e lojtarëve të rinj. Halili gjithashtu…
Strategjia vjen nga koka, pra nga të mëdhenj. Nuk jam i kënaqur nga ajo e të rinjve, sepse shumë pak luajnë. U bënë shumë vite që nuk luajnë të rinjtë. Gjithsesi, janë strategjitë e tyre, klubet janë disa private, disa jo. Unë mendoj që duhet t’i japim më shumë mundësi të rinjve. Ne e kemi në gjak futbollin. Nëse një fëmijë nuk ka një fushë ku të luajë 3 ose 4 orë në ditë, është e vështirë që një shtet të zhvillohet.

Ky ishte një vit i rëndësishëm për futbollin shqiptar, për ekipet përfaqësuese. Kur kthen kokën pas, ke ndonjë peng Bushi, mund të kishit marrë diçka më shumë nga kualifikueset e Evropianit? E kam fjalën për përfaqësuesen që ju drejtoni…
Ne kemi dhe 3 ndeshje, janë 9 pikë, nëse marrim 9 pikë ia dalim, pra kualifikohemi. Nuk mund të them se kam, pasi që kur hidhet shorti, e shikon që janë skuadra më të përparuara se ne, si Zvicra, Rumania, gjithashtu edhe Finlanda. Unë kam një peng, por do ta them pas 3 ndeshjesh. Ajo ndeshje me Finlandën në Tiranë mund ta fitonim, ajo është një peng, pasi jemi -2 pikë, po t’i kishim ato pikë do ishim më mirë.

Fakt është që U-21 ka qenë një burim i madh për Kombëtaren A. Në këndvështrimin tënd, kush janë “xhevahiret” e Bushit, lojtarë që janë gati për ekipin A?
Është e vërtetë, do të jenë 2-3 lojtarë të ekipit shumë shpejt pjesë e ekipit A. Zhvillimi, vazhdimësia, duhet të punojnë shumë që të kalojnë te ekipi A. Mendoj që janë djem që e duan fanellën dhe kombin. Emër? S’dua të përmend emra.

E di që jeni në kontakt të vazhdueshëm me Silvinjon dhe stafin e tij. Përveç lojtarëve, ka ndonjë kërkesë specifike, interesohet për ndonjë lojtar konkret, apo filozofi loje?
Filozofi loje jo, bisedojmë gjithmonë me drejtorin sportiv. Secili trajner luan si mendon ai dhe në bazë të elementëve. Silvinjo nuk ka një kërkesë specifike, ndonjëherë me batuta më thotë që ke kohë që s’më ke sjellë lojtarë të mirë.

Dikur, ishe i pari që flisje për cilësitë e Brojës, për potencialin e tij, u bërë viral me profecinë tënde. Sot që flasim, cili është parashikimi i radhës i Bushit, kush lojtar do mund të ngrihet në nivele të tilla?
Doni, s’doni, doni të nxirrni një emër. Unë kam thënë për Pajazitin, Medon Berisha ka një zhvillim shumë të mirë kohët e fundit. Fetahi, i datëlindjes 2005. Mendoj se do kemi xhevahire shumë shpejt.

Së fundmi Shqipëria ka hedhur kandidaturën për organizimin e “Euro2027”. Çfarë do të thotë për Shqipërinë, nëse miratohet gjithnjë? A do të ishte dhe për ju një provë e madhe, një test i fortë?
Shqipëria ka bërë gjëra të mëdha në aspektin futbollistik, gjëra të paimagjinueshme. Federata e di se sa ka qenë respekti ndaj nesh, tani na shikojnë ndryshe. Kemi organizuar evente si ai i Conference League. Do Zoti e marrim këtë organizimin e Euro 2027, është diçka pozitive. Unë jam i bindur se do ta arrijnë edhe vetë, pa qenë nevoja të jesh vend organizator.

Bushi, e mendoje që brenda 8 vitesh do riktheheshim sërish në Evropian, më thuaj të vërtetën?
Patjetër që po, unë mendoj që duhet të jemi edhe në Botëror. Unë e kam thënë edhe më përpara, që Shqipëria jo vetëm që do kualifikohet, por edhe do kalojë edhe ture. Tani ka ardhur momenti. Kur shikon lojtarë që kushtojnë shumë, edhe një amator e di që ajo skuadër do bëjë mirë. Nuk jemi si Italia dhe Spanja, por ngadalë do vijë edhe ajo ditë.

Bushi, jemi në ethet e listës, është e vështirë për një trajner. Ju keni qenë pjesë edhe e stafit të De Biazit tete vite më parë…
Gjëja më e vështirë, kjo është pjesa më e vështirë. Kur duhet të lësh një lojtarë në tribuna, është e vështirë. As De Biazi nuk e kishte të lehtë atëherë kur la Gjimshitin, Rashicën dhe Rrahmanin në shtëpi. Kam qenë atje, më vinte shumë keq. Duhet pranuar vendimi dhe duhet punuar më shumë për të qenë pjesë e listës.

Për kuriozitet, e ke diskutuar ndonjë herë me Gjimshitin atë që ndodhi tetë vite më parë? Ajo pamja juaj teksa përcillje Gjimshitin, Rrahmanin dhe Rashicën ka bërë xhiron në rrjet për shume vite…
Nuk e kam diskutuar, Gjimshiti është treguar profesionist. Një lojtar që luan në Armeni, shënon, luan në eliminatore, ekipi merr pjesë në Europian. Mendoj që me atë sjellje ka treguar se është profesionist. Jo më kot është një nga më të mirët. Ata dy të tjerët ikën te Kosova, ky qëndroi te Shqipëria.

Mund të ndodhin edhe këtë herë skenarë të tillë, rrezikojmë të humbasim ndonjë lojtar me vlera?
Po e mendoj, 3-4 do të qëndrojnë në shtëpi. Nuk mendoj që do jetë një lojtar vendimtar si Gjimshiti, nuk do jetë ky rast tani.

Për ironi të fatit, pikërisht aty ku ka Silvinjo me shumë dilema, në sulm, pikërisht sulmuesit po shpërthejnë këtë periudhë. Manaj, Seferi, Daku po kalojnë një formë të shkëlqyer…
Janë gjëra që duhen pranuar. Me këtë që UEFA ka marrë vendimin për të qenë 26 lojtarë, mund të jetë diçka më e mirë.

Ndërkohë dy lojtarë si Broja dhe Jasir Asani nuk luajnë asnjë minutë, ka vend për t’u shqetësuar? A mund ta kapin formën vetëm me fazën përgatitore dhe me testet miqësore?
Nga ana logjike nuk mund të kapin formën. Kur bëhet fjalë për 3 ndeshje, mendoj që lojtari jep më të mirën, pasi motivimi është shumë i madh. Nuk është e sigurt, por mund të bëjnë mirë edhe këta të dy.

Ndryshe nga kualifikueset ku legjionarët ishin “zjarr” me ekipet respektive, në këtë fund sezoni nuk janë shumë në formë. Përveç Brojës dhe Asanit, Uzuni gjithashtu ka luajtur i dëmtuar, Bajrami ka luajtur pak, etj. A mund të ndikojnë këto detaje në Europian?
Këto ndikojnë, kur bëhet fjalë për shumë. Të gjitha skuadrat i kanë lojtarët në Europian me nga 90 minuta në këmbë. Kur është komplekse kjo, normalisht që ndikon. Mendoj se ndikon. Kur luan për Shqipërinë, të gjithë japin maksimumin.

Çfarë Europiani pret Alban, mund të bëjmë më mirë se sa në “Euro2016”, apo fati ynë u shkrua në short?
Nuk është shkruar në short. Edhe kur na doli Portugalia, Serbia e Danimarka në short, unë dola dhe thashë që do kualifikohemi, ne u kualifikuam. Për pjesëmarrjen në Europian, kemi bërë paraqitje shumë të mira me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë që fituam. Ndaj Zvicrës lamë rast me Gashin. Fati ndonjëherë shkon me ekipet e mëdha. Shpresoj që të jetë fati me ne, ne kemi fituar ndaj Çekisë dhe Polonisë, tifozët janë të karikuar si në Hamburg, Dyseldorf dhe Dortmund. Kam besim se kalojmë grupin.

Më mirë, më shumë se tre pikët, kam përshtypjen se do duhej një mrekulli, por kujt mund t’i marrim pikë?
Mendoj Kroacisë dhe Italisë, besoj te fitorja.

Prej tetë vitesh shqiptarët kujtojnë ende golin e Sadikut, kush shënon këtë Europian?
Te ne kanë shënuar shumë. Ne kemi lojtarë shumë të shpejtë, kemi Uzunin që ka bërë gola, kemi Cikalleshin që ka eksperiencë.

E fundit, si trajner, po të ishe në vendin e Silvinjos, do kishe firmosur kontratë të re përpara Evropianit? Edhe kjo një lloj sfidë është, sepse mund të bëjmë hapa të mëdhenj përpara, por mund të bëjmë dhe hapa pas. Apo Silvinjo e bëri pjesën e tij duke na dërguar në “Euro2024”?
Një pyetje që nuk më takon të flas. Po të isha unë, nuk diskutohet. Për Silvinjon nuk e di.

PANORAMASPORT.AL

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

Asllanin e kërkojnë në Bundesligë, klubet gjermane vihen radhë për lojtarin shqiptar

Fisnik Asllani është një emër që po qarkullon në...

Mjeku i spitalit të Klod Allajbeut pengon transferimin e vrasësit të Martinit në paraburgim

Komisioni i Burgjeve ka njoftuar policinë e Tiranës për...

Del Piero kandidat për federatën italiane

Alessandro del Piero mund të jetë presidenti i ri...