Është zhvilluar të sh tunën në Shtëpinë e Futbollit turneu miqësor “Futbolli na bashkon”, ku morën pjesë Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë, Kosovës dhe një përfaqësuese e Diasporës së Belgjikës. Në këtë ndeshje nuk ka qenë i pranishëm Ervin Fakaj, ish-mbrojtësi i Shqipërisë gjatë viteve 1995-2003. Në pamje të parë duket një detaj i parëndësishëm, sepse bëhet fjalë për një ndeshje simbolike, por nuk është kështu…
PËRJASHTIMI- Ervin Fakaj ishte thirrur që në fillim në skuadrën e veteranëve të Shqipërisë, një risi e këtij viti nga FSHF-ja. Ata kryenin stërvitje një herë në javë në rezidencën e re të FSHF-së, tek ish-kompleksi “Dinamo”. Kriteri ishte që do të ftoheshin ish-lojtarë të datëlindjes 1974 e më pas dhe mes të ftuarve binin në sy Fakaj, Dede, Shkëmbi, Hyka, Pinari, Memelli, Vrapi etj.
Javët e para shkuan mirë dhe nisma e FSHFsë u vlerësua nga ish-lojtarët. Fakaj madje dha edhe një intervistë të shkurtër për uebsajtin e FSHF-së, ku e vlerësonte iniciativën e saj.
Mirëpo rreth 10 ditë më parë mësohet se nga stafi i FSHF-së i kanë komunikuar Ervin Fakajt se nuk do të jetë më pjesë e Kombëtares së veteranëve. I kapur disi në befasi ai ka kërkuar shpjegime, por përgjigjja ka qenë: “E kanë vendosur ata lart”.
SKANDALI- Pasi u vu në dijeni të ngjarjes, gazeta kontaktoi Ervin Fakajn për të kuptuar se përse ishte marrë ky vendim, por ish-mbrojtësi kuqezi refuzoi të jepte një shpjegim për momentin.
“Nuk kam dëshirë të flas për këtë pjesë, ndoshta në një moment të dytë”, ishte përgjigjja e shkurtër e Fakajt, duke mos e mohuar ngjarjen, por duke mos dhënë asnjë detaj rreth saj.
Ndërkaq, dyshimet janë se Fakaj është larguar nga kombëtarja e veteranëve sepse shpeshherë ka mbajtur qëndrime kritike ndaj stafit të kombëtares në vitet e fundit, por ka qenë kritik edhe kundrejt FSHF-së dhe politikave të saj.
Nëse përjashtimi i Fakajt është vetëm për këto arsye, atëherë jemi në kufijtë e çmendurisë. Imagjinoni çfarë ndodh me kombëtaret e moshave dhe kombëtaren A nëse FSHF vendos të përjashtojë një person nga kombëtarja e veteranëve vetëm sepse mendon ndryshe dhe ka dalë nga rreshti…!
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL