Brenda 45 ditëve në bashkinë e Kukësit duhet të bëhen zgjedhje të pjesshme pas vakancës së krijuar nga shkarkimi i kryetarit Safet Gjici.
Gjici u shkarkua një ditë më parë nga Këshilli i Ministrave për shkak të përfshirjes së tij në një skandal seksual në zyrën e bashkisë Kukës. Skandali u zbulua pasi u shpërnda me shpejtësi videoja erotike në rrjetet sociale.
Sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor, në rast të ndërprerjes së mandatit, zgjedhjet e reja mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit, që në këtë rast u bë në 16 qershor.
Sipas procedurës së parashikuar në Kodin Zgjedhor, kryeministria fillimisht do të njoftojë institucionin e presidencës për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të bashkisë përkatëse.
Pas njoftimit zyrtar për vakancën e krijuar, Presidenti i Republikës brenda 48 orëve do duhet të marrë vendimin për një datë të re zgjedhjesh të pjesshme.
Duke nisur që nga momenti i shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë, kompetencat e këtij posti i kalojnë nënkryetarit, i cili i gëzon ato deri në procesin e garës së re zgjedhore. Pas dekretit të presidentit, Komisioni Qendror i zgjedhjeve nis përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve, duke i krijuar kushtet subjekteve politike të paraqesin propozimet e tyre me kandidatët respektivë që do të bëhen pjesë e garës.
KQZ ka detyrimin të caktojë datën për të realizuar procedurat e regjistrimit të kandidatëve, anëtareve të KZAZ-ve si dhe caktimin e fondit për mbarëvajtjen e proçesit zgjedhor.