Rrjetet sociale po përdoren si kanalet kryesore për të marketuar qendrat e masazhit në Tiranë. Në kërkim të të ardhurave ekonomike shumë studente kanë aplikuar për një vend pune. Por, pas punësimit janë gjetur para një zgjedhje tjetër, atë të shfrytëzimit seksual kundrejt parave. Këto qendra nuk ofrojnë vetëm masazh, por edhe shërbime seksuale. Faktoje ka sjellë disa raste reale sesi këto vajza, marketohen me një gjuhë sa seksiste aq edhe shfrytëzuese.
Gjuha seksiste
Këto qendra masazhesh përdorin rrjetet sociale për të gjetur klientelë. Profilet e tyre i përngjasojnë një tregu të mishit të bardhë ku çfarë po shitet nuk janë shërbime, por trupat e grave.
Nëse, si çdo profesion tjetër, një masazhatore do të rritej në aftësi dhe klientelë me kalimin e kohës, duke përdorur reputacionin e vjetërsinë në punë për të tërhequr klientelë më të gjerë, një nga fjalitë më të përdorura në këto profile është “staf i ri”, sikurse një dyqan do të përdoret shprehjen “mall i ri” për të joshur klientelën. Në disa prej këtyre faqeve, gratë prezantohen si produkte me foton, ‘emrin’, moshën dhe çmimin të listuar.
Përmes postimeve këto profile “mashtrojnë” se po ofrojnë punë për masazhatore në rrjete sociale, ndërkohë që, puna në fjalë përfshin ushtrimin e prostitucionit. Edhe nëse një grua punësohet në këto qendra vërtet, fillimisht, thjesht si masazhatore, punësimi në një ambient ku ushtrohet prostitucioni vjen me risqet e tij specifike, duke filluar nga ato higjenike-shëndetësore, vulnerabiliteti ndaj dhunës dhe afërsia me një aktivitet të paligjshëm dhe të rrezikshëm. Nga një sërë dokumentesh zbulohet se këto qendra keqpërdorin rrjetet sociale, duke përdorur fotografi dhe përshkrime që manipulojnë imazhin e një qendre masazhi tradicionale. Përtej kësaj imazhi të rremë, shpesh ato ofrojnë shërbime të tjera, duke përfshirë mardhënie seksuale për pagesë. Ky është një rast flagrant i abuzimit të informacionit.