Eva Buzo ka përfunduar me sukses udhëtimin e saj prej 34 orësh dhe 92 kilometrash nga brigjet e Leces, Itali, deri në Gadishullin e Karaburunit në Shqipëri.
Udhëtimi ishte sfidues, duke marrë parasysh se vitin e kaluar ajo u detyrua të ndalonte për shkak të komplikacioneve. Megjithatë, këtë herë, avokatja me origjinë shqiptare arriti të përfundojë rrugëtimin e saj, duke treguar një forcë të madhe fizike dhe psikologjike.
Gjatë udhëtimit të saj, Eva ndaloi shumë pak për të pirë ujë, duke mbajtur një ritëm konstant. Nuk pati probleme gjatë udhëtimit, por në momentin e mbërritjes, ajo nuk ishte në gjendje të fliste për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa.
Gjithsesi, gjendja e saj shëndetësore është shumë e mirë, duke e bërë këtë një arritje të jashtëzakonshme.