Myrto Uzuni është ngjitur në LaLiga me Granadën, por kjo nuk do të thotë se qëndrimi i tij te kjo skuadër është i sigurt. Beratasi ka shkëlqyer në sezonin e shkuar me 23 gola dhe 5 asiste në LaLiga 2 dhe kjo ka bërë që disa skuadra të vihen pas tij për ta blerë.
Pas Valencias, në lëvizje për shërbimet e tij është vënë edhe Sevilla, e cila po kërkon një goleador. Mediat spanjolle bëjnë me dije se bordi i klubit e ka vendosur Uzunin mes prioriteteve për këtë verë dhe kanë nisur të marrin informacionet e para rreth yllit të Kombëtares sonë.
Për të përfituar shërbimet e Uzunit, Sevilla do të duhej të paguanin klauzolën prej 20 milionë eurosh, shifër e përballueshme nga një klub i përmasave të tilla. Uzuni te Sevilla do të kishte shansin të luante edhe në Champions, një kompeticion, të cilin e ka provuar në të shkuarën me Ferencvaroshin, ku edhe ka shënuar në një ndeshje ndaj Juventusit.