Juventusi ka humbur me rezultatin 4-2 në transfertën kundër Sasuolos. Ndeshja është mbyllur me një autogol gati të pabesueshëm për bardhezinjtë. Në minutat shtesë të takimit, erdhi edhe goli i katërt i Sasuolos, që i la të befasuar lojtarët dhe tifozët e “Zonjës së Vjetër”.
Shezni gjendej jashtë zonës së tij dhe pason topin për te Gati. Ky i fundit, megjithëse e dinte se porta ishte e boshatisur, nxiton të kthejë topin prapa nën presionin e lojtarit kundërshtar. Topi i gjuajtur nga këmba e tij shkon në rrjetë, duke shkaktuar një habi të madhe te opinioni sportiv. Një autogol qesharak që ndikoi shumë psikologjikisht te mbrojtësi italian./Halit Delibashi-Sport Ekspres/