VIDEO/ Kjo nuk ka ndodhur kurrë te Shqipëria, shikoni sa lojtarë shkojnë për golin

Date:

- Advertisement -

Shqipëria nën drejtimin e Silvinjos vazhdon në rrugën e suksesit dhe të shkrimit të historisë. Një tjetër faqe është shkruar në ndeshjen e fundit, teksa kemi mundur Ukrainën me shifrat 1-2. Por çfarë ka ndryshuar trajneri te Kombëtarja që po arrijmë në këto rezultate? Sot duam të ndalemi në një analizë të shkurtër sa i përket golave të shënuar.

Edhe në Europian që ne mbërritëm, përtej zhgënjimeve mbi pritshmëritë, nëse në Europianin e 2016 shënuam vetëm një gol me Sadikun në një grup më të lehtë, këtë herë në një grup ferri shënuam me Bajramin, me Qazim Laçin dhe me Klaus Gjasulën. Pra këtë herë shënuam tre gola, por jo vetëm kaq, te kjo Shqipëri e Silvinjos shënojnë të gjithë.

Madje për të qenë më të saktë, më shumë kanë shënuar mesfushorët apo edhe si në rastin e fundit qendër mbrojtësi Ismajli sesa qendërsulmuesit tanë. Kjo tregon angazhimin e madh që ka gjithë ekipi për të qenë në portën kundërshtare. Nëse në kohët e mëparshme te Shqipëria ishte e vështirë të gjeje një lojtar tjetër përveç qendër sulmuesit tonë në portën kundërshtare, këtë herë ndryshon historia. Një shembull i marrë nga minuta e 39 e takimit me Ukrainën, fillimisht shihen 6 lojtarë të Shqipërisë që kanë kaluar gjysmëfushën tonë dhe 3 lojtarë që i drejtohen portës kundërshtare dhe vetëm pak sekonda më vonë me zhvillimin e aksionit janë 5 lojtarë të Shqipërisë që kërcënojnë seriozisht portën kundërshtare duke përfshirë edhe Mitajn në krahun e majtë që gjendet i lirë dhe mund të fus një krosim të rrezikshëm. E gjitha kjo, sic thotë edhe trajneri Bylbyl Sokoli duke futur një matematikë të thjeshtë, bën që të rritet përqindja për shënimin e golit duke pasur më shumë lojtarë në zonën kundërshtare. Por sigurisht, tregon guxim të madh dhe personalitet.

Ndërkohë nëse flasim për mënyrën e mbrojtjes, ishin tre linja të kthyera mbrapa, të gjithë me shpirtin e sakrificës. Linja e mbrojtjes, mesfushës, por edhe Bajrami me Asanin në krahë që bënin role mbrojtëse në momentin kur Ukraina sulmonte. “Edhe nëse luajmë basketboll ku ti e merr topin me dorë, prapë nuk arrin dot të çash tre linjat”, tha me të drejtë Skënder Gega, duke vlerësuar mbrojtjen e Shqipërisë. E gjitha kjo bën që jo çdo dëshirë e kundërshtarit për të shkuar te porta jonë të përfundojë me sukses dhe i hap më pak punë mbrojtësave pasi jo çdo tentativë e kundërshtarit përfundon tek ta si detyrë për të mbyllur, janë edhe dy linja të tjera për t’u kaluar para se ata të thirren në detyrë.

Dhe nëse shohim golin e Jasir Asanit tregohet prapë përfshirja e madhe e lojtarëve tanë në zonën kundërshtare me Manajn që ndodhet me topin në zotërim në krahun e majtë, me Qazim Lacin që futet në qendër për të marrë vendin e Manajt dhe Asanin që futet në brendësi të zonës për të shënuar golin. Jo vetëm kaq, por ka edhe dy futbollistë të tjerë të Shqipërisë që afrohen akoma më tepër me zonën kundërshtare. Për të prekur edhe pjesën e presingut, një tjetër histori më vete. Minuta e 52 e takimit, Ukraina zotëron topin dhe Shqipëria shkon me 6 lojtarë në pressing që kalojnë gjysmëfushën e Ukrainës.

Kjo tregon saktësisht guximin e madh të Shqipërisë teksa një pressing i tillë më herët ishte i paimagjinueshëm. Silvinjo i ka bërë lojtarët që të besojnë te vetja e tyre dhe beson verbërisht tek ta teksa edhe nëse presingu shkon huq, atëherë mbrojtësat do të fitojnë duelin një kundër një me kundërshtarin. Pasi në momente të tilla nëse lojtarët e Ukrainës dalin saktë nga presingu, atëherë dueli një për një është i pashmangshëm dhe aty je i detyruar për ta fituar pasi nuk ka një tjetër filtër. Dhe në këtë moment presingu ka qëlluar i goditur pasi Shqipëria jo vetëm fitoi topin, por Manaj doli në qendër dhe dhuroi një super goditje, që për fatin e keq u prit nga portieri i Ukrainës. /Sport Ekspres/

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related