‘Në det kam qenë në atë moment, por për fat të mirë afër tokës”, kështu e nis rrëfimin e tij, Ilaz Duli i cili ishte duke pushuar në plazhin Hurghada të Egjiptit, ku një peshkaqen e sulmoi për vdekje një 23 vjeçar.
23-vjeçarit rus i kanë kushtuar me jetë pushimet në brigjet egjiptiane në Detin e Kuq, pasi u sulmua nga një peshkaqen dhe për pasojë vdiq. Autoritetet egjiptiane kanë konfirmuar vdekjen e turistit dhe kapjen e peshkaqenit, i cili është dërguar për ekzaminime në laborator për të përcaktuar arsyet për sulmin e rrallë.
Një video nga rasti është shpërndarë dhe aty shihet burri që përpëlitet nëpër det dhe sulmohet vazhdimisht nga peshkaqeni deri kur tërhiqet poshtë ujit nga ai.
Në momentin kritik, i pranishëm ishte edhe Ilaz Duli nga Kosova, i cili për Gazetën Sinjali ka rrëfyer se si ndodhi ngjarja tragjike.
“Unë isha për pushime në Hotel “Tia Heights Makabi”, (08.06.2023) ishte dita ime e fundit, dhe rreth orës 16.15 nga ekipi i sigurimit të Plazhit u ngrit alarm me fishkëllima të larta që të dalin të gjithë pushuesit nga plazhi.
Unë isha më afër tokës, dhe u krijua një situatë shumë shqetësuese duke ikur të gjithë pa ditur se çka po ndodhte, dhe kur dolëm nga uji e kuptuam se një peshkaqen po i sulmon pushuesit.
Një femër ruse e shqetësuar tregonte në rusisht si kishte parë rastin, por ne nuk e kuptonim.
Punëtorët e sigurimit hynë në ujë për t’i ndihmuar pushuesit që ishin më larg, dhe për nja 5 deri 6 minuta të gjithë dolën nga uji”, tha Duli për Sinjalin.