Rey Manaj ka vendosur të rikthehet te Sivasspor. Sulmuesi shqiptar pavarësisht se u largua mes falenderimesh nga ekipi turk, palët kanë vendosur sërish të bashkëpunojnë me syre.
Kështu lushnjari do të rinovojë kontratën me ekipin turk dhe në këtë mënyrë do të vazhdojë qëndrimin te Sivasspor të paktën edhe për një sezon tjetër. Kështu Manaj ditën e djeshme ka zbarkuar në Turqi.
Me të zbritur në aeroport, sulmuesi është surprizuar nga tifozët. Këto të fundit i bënë një pritje madhështore lushnjarit, i cili është kthyer në “idhullin” e tyre në sezonin e kaluar. Klubi ka bërë një postim në rrjetet sociale, teksa i uron mirë se ardhjen lushnjarit.
“Mirë se erdhe mbret i Sivas” ka shkruar klubi në rrjetet sociale. Kujtojmë se në sezonin që kaloi Manaj ia doli të shënojë 18 gola dhe të dhurojë edhe 3 asiste në 33 ndeshje të luajtura.