Mentor Kikia ka reaguar pas publikimit të pamjeve të sherrit të ndodhur ditën e djeshme në Borizanë të Krujës.
Gazetari i njohur ka fiksuar momentin kur grupi i fisit Rraja, me shkopinj bejsbolli dhe armë dhunojnë një person që pretendonte se shtëpia ishte prishur nga shpërthimet e gurores. Në facebook-un e tij, Kikia shkruante
“Si thatë, përse ikin shqiptarët nga Shqipëria?
Ai që është duke dhënë shpirt në tokë, është ankuar sepse gurorja që ndodhet në fshat i dëmton shtëpitë kur shpërthen dinamitin.
Ata të gurores, po japin vendimin!
Ata të gurores janë vëllai dhe familjarët e një deputeti, që bën ligje”, përfundon gazetari i njohur.
Kujtojmë që pas sherrit të djeshëm mbetën të plagosur dy vëllezërit, Bilbil dhe Jashar Maja, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë për jetën.