“Ylber Ramadani hoqi ligjin e mesfushës, kemi harruar fare Gjasulën”! Eno Skarço: Silvinjo është më shqiptar se të gjithë të tjerët

Date:

- Advertisement -

Shqipëria po vazhdon me rezultat fantastike nën drejtimin e Silvinjos. Kombëtarja arriti që të fitonte edhe kundër Polonisë me shifrat 2-0, duke marrë kryesimin e grupit. Ndërkohë “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të bëjë një intervistë me gazetarin e njohur, Eno Skarço, i cili vjen me një tjetër analizë të detajuar mbi ndeshjen dhe të ardhmen.

Kur flitet për transformim, Ylber Ramadani është imazhi kryesor. “Ka hequr ligjin e mesfushës. Të gjithë kemi harruar Gjasulën”, thotë me të drejtë Skarço, që është një ndër të vetmit që e ka përmendur lojtarin e Darmshtad. Vlerësimet janë të mëdha edhe për Silvinjon, njeriun e vetëm në Shqipëri që për momentin, është kthyer në “Zotin” e shqiptarëve dhe që askush nuk guxon dot ta kritikojë.

Çfarë ndodhi në minutat e para të ndeshjes te Shqipëria? Mos ndoshta ajo befasia që ne i kemi bërë çekëve, na e ktheu Polonia, që ne mos të rrezikonim dot dhe të mos ndiznim tifozët e zjarrtë që në minutat e para? Në Poloni u shprehën se Shqipëria luajti zgjuar, priti dhe më pas tentoi sulmin…

Shqipëria nuk është se nuk do të donte që t’i imponohej Polonisë që në fillim. Por ngarkesa emocionale dhe psikologjike e ndeshjes, i bëri lojtarët që të ishin më të kujdesshëm seç duhet dhe futbollistëve iu ngurtësuan këmbët. Pas ndërhyrjes së VAR në atë momentin e golit të Polonisë, ndeshja shkoi në rrjedhën e duhur. Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e Ramadanit për Gjimshitin dhe Ismajlin: “Ta marrim ekipin përpara, të zgjohemi”. Nuk ishte zgjedhje taktike për ta nisur ndeshjen në atë mënyrë, por ishte ngarkesë emocionale e pastër. Tifozët, atmosfera dhe mos të harrojmë se kishim 70 vite që nuk shihnim “dritë” kundër polakëve.

Por Shqipëria ka ndryshuar mentalitet dhe kjo duket apo jo, nuk jemi më ajo Kombëtarja me ata lojtarët që sapo shënojnë gol, rrëmbehen nga entuziazmi i tifozëve dhe dalin nga detyrat e tyre.

Mentaliteti ka ndryshuar plotësisht. Jo se Reja nuk kishte mentalitetin e duhur, por Shqipëria kishte nevojë për adrenalinë dhe energji. Silvinjo është ai trajneri i buzëqeshur, ai trajneri që është shokë i lojtarëve, që është pjesë e grupit, që nuk distancohet, por bëhet palë me ta. Silvinjo i ka dhënë kësaj Shqipërie pak nga argëtimi brazilian. Vetëm shikoni dhe dëgjoni deklaratat e lojtarëve të Kombëtares. Ata nuk janë më vetëm koleg, nuk ndajnë vetëm fushën bashkë, janë shokë shumë të mirë dhe shoqërohen me njëri-tjetrin edhe jashtë, janë një grup. Kjo ka ndryshuar te Shqipëria. Pastaj te pjesa e mentalitetit, është logjike që me këta lojtarë që luajnë në kampionatet më të rëndësishme në Europë, nuk mund të rrëmbehen nga tifozët dhe të dalin nga pozicionet e tyre. Kjo ndodh vetëm kur një trajner nuk e ka në dorë plotësisht ekipin. Kur një trajner e kontroll ekipin, nuk ka perëndi që lojtari të dalë nga pozicioni i tij. Ne e kemi parë që sa herë që shënohet një gol, trajneri është i pari që i bërtet lojtarëve që të kthehen dhe të vendosen në pozicionet e caktuara.

E diskutuam edhe më parë, por erdhi edhe një tjetër super gol. Katër herë radhazi, mos ndoshta është pak shumë?

Për mua është çlirim psikologjik. Lojtarët janë të lirë për të shprehur potencialin, nuk kanë frikë të guxojnë. Tentojnë të godasin nga distanca, të gjithë. E thashë, me 3-5-2 e Rejës kjo bëhej e pamundur, ishte “Old Fashion” si trajner, lojtarët nuk vendosen në kushte të favorshme për të shprehur potencialin e tyre. Reja kërkoheshin t’i zbatoheshin pikë për pikë veprimet si i kërkonte ai, ndërsa brazilianët janë ndryshe dhe këtu nuk po flas vetëm për Silvinjon, po flas për të gjithë. Ata i japin liri fantazisë së futbollistit. Deri tani, kjo fantazi na ka nxjerrë në dritë. Guximi shpërblehet, Asani ishte hera e dytë që guxon në pozicione të tilla, këta lojtarë kanë lirinë për të shfrenuar fantazinë, kjo është shenja treguese. Asllani tentoi disa herë, nuk ia doli, por vazhdon që të tentojë. Tani kemi një ekip që është i lirë për të shprehur fantazinë individuale.

Jasir Asani, humbja më e madhe e Rejës, mund të luante me Maqedoninë e Veriut tani. A duhet të dalë italiani dhe të kërkojë falje sot për atë që mund të na bënte?

Jasir Asani po me këtë stil loje ka qenë edhe te Partizani. Në rregull, mund të ketë rritje në intensitet, por ishte po ky lojtar që driblonte dhe godiste portën. Nëse Reja vinte dhe shikonte kampionatin shqiptar, që nuk ishin të shumta, por të paktën derbin Tirana-Partizani e ka parë. Pra nuk mund të kalonte Asani pa u vënë re. Kjo tregon nuhatjen jo të duhur të Rejës, por për mua më e mundshme është varianti i skemës, pra me 3-5-2 e Rejës, Jasir Asani nuk mund të kishte vend. Ne kishim shumë lojtarë krahu të djegur nga skema për shkak se nuk bënin dot detyrat mbrojtëse.

Silvinjo është një “hero” në Shqipëri dhe tifozët kanë frikë se do të mbesin pa një të tillë. Duke e njohur sadopak këtë trajner, mendon se është në ambiciet e tij që të vazhdojë te Shqipëria edhe pas Europianit apo do të tundohet nga ofertat, veçanërisht për të punuar në ekip?

Silvinjo është nga ata trajnerë që punon atje ku ndihet mirë dhe unë kuptoj që ai ndihet mirë këtu. Është më shumë shqiptar se çdo trajner tjetër që ka qenë këtu. Jo vetëm për faktin se qëndron këtu, jo vetëm për faktin se tenton të mësojë gjuhën tonë, jo vetëm për faktin se është pjesë e një ritmi shqiptar, karakteri shqiptar, duke qëndruar këtu mëson shumë. Nuk besoj se ka ndonjë tifoz që nuk “e adhuron” Silvinjon. Kur janë këto parametra, ai kërkon që të vazhdojë bashkëpunimin. Nëse ne shkojmë Europian, unë mendoj se Silvinjo do të tentojë edhe Botërorin. Jo vetëm për faktin se ne nuk kemi qenë asnjëherë aty, por edhe për shkak se për Silvinjon, kjo po rezulton si eksperienca e tij më e mirë si trajner. Unë mendoj se projekti që Silvinjo po dërgon përpara nuk është 2-vjeçar, është më shumë. Prandaj unë mendoj se edhe në Botëror do të jemi me Silvinjon.

Ka shumë situata që tregojnë përfshirjen e madhe të Silvinjos. Kur ne fituam me Ishujt Faroe, në një video shihej sesi Silvinjo përqafonte Armand Dukën me fytyrën që i qeshte nga gëzimi, dukej që ishte shumë falënderues. Pastaj edhe te goli i Dakut me Asllanin, e thirri dhe nuk mundi t’i thoshte asgjë, u bllokua pas atij goli.

Është shumë i përfshirë Silvinjo në këtë eksperiencë, është e vërtetë. Dallohet kur komunikon me gazetarët, dallohet kur flet jashtë kamerave, dallohet kur flet me lojtarët. Është një projekt i madh për të. Jo sepse ne jemi Kombëtare e madhe, por për shkak se me ne mund të arrijë larg. Ka marrë një Kombëtare që ka shkuar vetëm njëherë në Europian, po na dërgon prapë aty dhe imagjinoni një moment nëse shkojmë edhe në Botëror me të, atëherë, si do të jetë e ardhmja e Silvinjos? Padyshim, e ndritur dhe me oferta.

Një super brez nga Shqipëria U-21 dhe kjo Shqipëria A që po i ngroh të gjithë, a po vjen një Kroaci e re në Ballkan?

Kroacia e re është shumë për këtë moment. Po flasim për një ekip që shkon në katër më të mirat në Botëror, shkon rregullisht atje, mund emrat e mëdhenj. Është shumë herët për të thënë Kroaci, por që ne po bëhemi faktor në rajon, kjo është e sigurt. Ndoshta me Kroacinë jo, por me Serbinë mund të konkurrojmë pa probleme. Jemi më lart se Maqedonia e Veriut dhe Kosova në këtë moment, edhe se Mali i Zi. Që ne po bëhemi faktor “PO”, pastaj Kroaci apo jo, është pak herë për ta thënë.

Po me Myrto Uzunin, çfarë po ndodh, përse nuk po arrin që të bëjë diferencën në Kombëtare si në ekip?

Unë e njoh Myrton, është shumë emocional. Është një lojtar që aty ku e ka krijuar besueshmërinë e tij, te Granada, ndihet komod dhe jep më të mirën. Ndërsa te Kombëtarja, nuk është akoma në rolin e liderit dhe e vuan pak këtë pjesë. Sheh nga të tjerët dhe nuk shohin të tjerët nga Uzuni. Për të shtuar edhe pak vështirësinë, është edhe skema. Uzuni luan shumë mirë si sulmues i dytë. Në një skemë me dy sulmues, me Uzunin si sulmues të dytë, do të ishte shumë funksional. Por për fatin e keq të Uzunit, Silvino luan me një sulmues dhe mbështetje nga krahët. Edhe Uzuni i hapur në krahë, nuk është i njëjti me atë të Granadas. Uzuni duhet të mësohet të adaptohet me këtë skemë, nuk ka zgjidhje tjetër. Kemi Mujën, Roshin, Mucin, Mehmetin, Asanin që japin kontributin e tyre në këtë lloj skeme dhe Silvinjo nuk mund të rrezikojë të gjithë këta lojtarë për vetëm një lojtar.

E nëse flasim për golat, kush të shijoi më shumë, i Asanit apo i Dakut?

Ishin dy ndjesi të ndryshme. Goli i Jasir Asanit ishte më shumë habi sesa emocion i pastër, sepse akoma nuk po e besoja se ai top mund të përfundonte në rrjetë. Por goli i Dakut pastaj ishte shpërthim emocional sepse ishte siguri.

Nëse ka një lojtar që është transformuar më shumë te Shqipëria, është Ylber Ramadani. Ndan të njëjtin mendim?

Fantastik! Nuk kam fjalë, ka bërë ndeshjen e jetës. Një futbollist që vrapon kilometra të tëra, që nuk shihet kurrë i lodhur. I jashtëzakonshëm, nga koha te Partizani te ky Ramadani sot, është krejtësisht i transformuar. Imagjinoni, ka lënë Gjasulën në stol dhe askush nuk kujtohet më që të thotë: “Po Gjasula ku është?”. Po flasim për një lojtar që ishte ligj në mesfushë për Shqipërinë. Prandaj mendoj se Ramadani ka marshin më të lartë të përmirësimit.

Dhe në fund, për të gjithë ata që e paragjykuan Silvinjon që në fillim, a do të nxjerrë kjo histori një mësim?

Kjo nuk do të ndodhi kurrë, futbolli prandaj është i bukur sepse ne të gjithë mendojmë se e dimë. Plus që ne e kemi edhe si karakter, që flasim para kohe, nxitojmë shumë. Por kjo e bën edhe të bukur, nëse tifozi nuk flet para ndeshje, është e kot. Ne do të flasim para kohe, do të paragjykojmë, me rëndësi është që personi që vjen të na i prishi këto paragjykime.

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

Del Piero kandidat për federatën italiane

Alessandro del Piero mund të jetë presidenti i ri...

“Këmbëngula që Mitaj të vinte këtu”, ish-trajneri i Francës i thur elozhe: Është shumë i mirë teknikisht

Mario Mita ka zhvilluar një tjetër pataqitje për t’u...