Tre persona të vdekur dhe një i plagosur në gjendje të rëndë, ky është bilanci tragjik i ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në Dobraç të Shkodrës.
Një prej viktimave është dhe Flutura Basha, gruaja të cilës iu pre jeta në mes padrejtësisht. Në momentin e ngjarjes ajo ishte duke lëvizur me motomjet së bashku me bashkëshortin e saj, kur automjeti me të cilin po udhëtonte Ramza Lici dhe Arlind Bushati doli nga rruga dhe i përplasi.
Tre viktimat e atentatit do të përcillen sot për në banesën e fundit. Në orën 14:30 pritet t’i jepet lamtumira e fundit Arlind Bushatit, ndërsa në orën 16:00 23-vjeçarit, Hamza Licit.
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, 3 persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po qarkullonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Si pasojë e të shtënave humbi jetën në vendin e ngjarjes Hamza Lici, ndërsa 32-vjeçari u transportua në spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë për jetën. Prej orësh i riu po luftonte për jetën, mirëpo plumbi që kishte marrë në kokë rezultoi fatal për të dhe humbi jetën gjatë mbrëmjes së djeshme.
Deri më tani ende nuk është e qartë se kush ishte “shënjestra” e atentatit, Lici apo Bushati. Ndërkohë kujtojmë se Bushati pak javë më parë denoncoi në Policinë e Shkodrës një kërcënim e me armë zjarri që kishte ndodhur në pedonalen e qytetit.
32-vjeçari u paraqit në Komsiariatin e Shkodrës ku dhe denoncoi se persona të paidentifikuar të cilët qarkullonin me një motomomjet i kanë drejtuar armën e zjarrit.
“Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës”, raportoi Policia më herët.